“Arrëthyesi” është ndoshta baleti më i njohur gjatë periudhës së fundvitit, por po ashtu personazhi i dashur është pjesë e qindra filmave dhe zbukurimeve të Krishtlindjeve.
Por pse arrëthyesit e vegjël janë shndërruar në një dekor të preferuar gjatë festave të fundvitit? Sipas folklorit gjerman, arrëthyesit dhuroheshin si hajmali për t’i sjellë fat familjes dhe për të mbrojtur shtëpinë. Thuhet se përfaqësojnë forcën, fuqinë, kujdeset për familjen dhe mban larg shpirtrat e ligj.
Origjina e tyre vjen nga traditat e lashta të gostive ku arrëthyes fisnikë ishin pjesë të tyre si argëtim gjatë ëmbëlsirës. Kjo sillte biseda të gëzueshme teksa të ftuarit shijonin pjatën e fundit të shoqëruar me arra e lajthi.
Shumë nga dizajnet e mëparshme të arrëthyesve ngjasonin me kafshët, shpendët dhe njerëzit. Forma klasike që njohim sot e cila ngjason me mbretër apo ushtarë nuk u duk deri nga vitet 1600-1700.
Arrëthyesit ishin të famshëm fillimisht në Gjermani dhe krijoheshin në malet Erzgebirge. Në vitin 1892 ata u bënë të njohur në mbarë botën falë debutimit të baletit “Arrëthyesi” që u kompozua nga Çajkovski dhe u vendos në skenën e teatrit të Shën Petërburgut. Ky është edhe momenti nga ne e njohim më së shumti versionin e Krishtlindjeve të arrëthyesit, i cili është kthyer në një simbol të festës.