MENU
klinika

Nga Ylli Pata

Pse të gjithë reflektorët janë kthyer të kreu i ri i SPAK?!

15.12.2022 - 21:36

Zgjedhja e kreut të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, është kthyer në një event kyç për ditën e nesërme, e të gjithë reflektorët janë përqëndruar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Dje, si ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, si kryeministri Edi Rama dhanë qëndrime, të cilat normalisht u komentuan sipas një diapazoni të gjerë, ku mund të gjendeshin pika për shumë këndvështrime. Që natyrisht ja vlejnë të analizohen dhe të diskutohen gjatë e gjerë.

Nga pala e PD-së institucionale ka një qëndrim njohës e respektues ndaj drejtësisë, por as entuziast e as sulmues. Që në fakt është qëndrimi më korrekt që duhet të mbajë politika.

Foltorja e Berishës si edhe PL e Metës, për SPAK kanë një qëndrim të njohur që në 2016, të cilin e konsiderojnë një organ që është ngritur kundra tyre.

Tani në këtë konfigurim dallojmë realisht shqetësime nga palët për SPAK. Le ti marrim me radhë.

Partia Socialiste, nga kundërshtarët konsiderohet si një forcë politike që ka kaluar limitet e asaj “vije të kuqe” që “Të Paprekshmit” e këtij vendi e kishin vendosur: tetëvjet ti, tetë vjet unë, kush bën më shumë”.

Ndërkaq, reforma në drejtësi e të gjithë institucionet që kanë dalë nga reforma; pra KLD, KLGJ, KLP, SPAK, ILD etj, janë ngritur falë vullnetit politik të Partisë Socialiste.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë qenë kundër. Sot situata ka evoluar pasi Partia Demokratike Institucionale e mbështet reformën e foltorja jo.

Në atë kohë, u fol shumë për reformën, sidomos kur ishte ngritur Komisioni i Posacëm Parlamentar që drejtohej nga Fatmir Xhafa. Ku thuhej se në drejtësinë e re do të vijnë prokurorët dhe gjyqtarët e komunizmit, sepse kriteret këtë imponojnë. i thanë këto edhe zëra që janë të pavarur dhe të mbushur nga donacionet europiane.

Në fakt, në rastin më të parë, kur me mbarimin e mandatit të Adriatik Llalës ndërkombëtarët mbështetën zgjedhjen e një Kryeprokuror të Përkohshëm, kandidatja që u zgjodh jo vetëm që nuk kishte lidhje me kohën e diktaturës, por vinte nga shtresa e të përndjekurve. Flasim për Arta Markun, Prokuroren e Parë të Përgjithshme të epokës post Llalla.

Dhe sot jemi dëshmitarë se si KLGJ e si KLP, më shumë se ish-gjyqtarë e ish-hetues, ka jurist, thjesht juristë.

Le të kthehemi në vitin 1992, kur Presidenti i asaj kohe vendosi që të emërojë në drejtësi njerëz që nuk kishin përfunduar studimet për jurisprudencë, që nuk kishin punuar në organet e drejtësisë, por që kishin kryer një kurs 6 mujor në Plepa. Shumica e atyre që përfunduan Plepat shkuan në prokurori, që ishte organ i centralizuar ose në Apel që i vinte vulën çdo vendimi.

Në ndryshim nga reforma aktuale, ajo që ndodhi në 1992 nuk ishte reformë, por rekomandim.

Ai rekomandim nuk krijoi dot sistem, pasi njerëzit që ishin pjesë e sistemit gjyqësor shërbenin si fasadë mediatike e pushtetit politik. E si pasojë ju dha kësaj superstrukture fuqie pushtetare.

E nesër, çdo të ndodhë nëse SPAK zgjedh një kandidat që sipas opinionit e preferon SHBA? Po nëse zgjidhet ai që sipas opinionit e preferon qeveria, apo i treti?

Kreu i SPAK sipas Kushtetutës nuk ka të drejta hetimore, por aim und të vendosë proritete në rastin kur SPAK është i përmbytur në punë të vogla. Pra mund të caktojë kush duhet të hetohet në fillim e kush më pas.

Ose të monitorojë proceset. Në thelb, e gjithë kjo zhurmë, sensin e ka që kemi të bëjmë, të paktën sipas mediave, me dy preference, të SHBA dhe mazhorancës. Por në fund kushdo të zgjidhet nuk ka fuqi si ka pasur një kryeprokuror në të shkuarën; as nuk mbyll hetime as largon prokurorë. Thjesht vendos një prioritet.

Megjithatë, fakt është se në të gjithë njerëzit e emëruar në SPAK nuk ka asnjë njeri që ka punuar në diktaturë, siç u tha fillim të reformës.

Por SPAK nuk mund të vijojë si institucion, nëse thjesht bën ndjekje penale fshatarësh që ndërmjet tyre mbjellin kanabis. SPAK është një institucion për të arrestuar e hetuar zyrtarë të lartë, ose baronë të mëdhenj krimi. Deri tani një pjesë e madhe e punës së institucionit është marrë pikërisht me këtë pjesë të vogël të veprave penale. Pasi çfarë vjen nga DIA apo antimafia italiane apo Europol, është më e thjeshtë.

Kjo ka qenë historia e sotme e SPAK, por nga nesër duket se ka një vullnet për ta ndryshuar prioritetin, për tu fokusuar te “Peshqit e Mëdhenj”-pa dallim. E kjo duket se është qartë ideja apo koncepti që SHBA e ka bërë të qartë dy ditë para zgjedhjes së kreut të ri të SPAK.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN