MENU
klinika

Analiza

Putini e di se spiunazhi është ‘as nën mëngë’ në çdo luftë

16.12.2022 - 15:18

Shkencëtarë të mëdhenj që u bënë spiunë, por që sot mund t’i shohim njëkohësisht si tradhtarë dhe heronj. Tradhtarë, sepse kaluan, shpeshherë për shkak të ideologjisë, sekretet atomike dhe “armët përfundimtare” vendimtare për fundin e Luftës së Dytë Botërore nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar tek Bashkimi Sovjetik i Josif Stalinit.

Dhe heronj duke parë pas në kohë, sepse barazia bërthamore dhe makthi i shkatërrimit të siguruar reciprokisht ishin tek e fundit fuqia e vërtetë parandaluese kundër degjenerimit të Luftës së Ftohtë në Luftën e Tretë Botërore.

Ata nxitën riarmatimin, ia dorëzuan sekretet e armës përfundimtare superfuqisë komuniste në kohën e Josif Stalinit, dhe ia nënshtruan shkencën vullnetit të politikë. Por nuk e bënë thuajse asnjëherë nga hakmarrja. Në fakt, pikërisht me veprimet e tyre, ata e bënë të qartë nevojën për të rregulluar konkurrencën e armëve për të shmangur një “Far West” bërthamor.

Stalini e donte që nga viti 1943 bombën atomike. Pasi përballoi fazën më dramatike të agresionit nazist, ai i dha Lavrenti Berias, shefit të tij besnik të KGB-së, detyrën e strukturimit politik të programit atomik të udhëhequr nga fizikanti Igor Kurçatov.

Spiunazhi i dha këtij plani një mbështetje themelore për të mbyllur më shpejt hendekun me Perëndimin, që në atë kohë ishte ende aleat i BRSS, dhe për ta çuar Moskën drejt testit të saj të parë atomik, të kryer në Semipalatinsk të Kazakistanit në vitin 1949.

Po flasim për një proces, ku vendet anglo-saksone u angazhuan në kërkime atomike, edhe pas sulmeve në Hiroshima dhe Nagasaki, të cilat e zbuluan qartazi ndikimin e tyre, dhe që tashmë kishin filluar ta kuptonin që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

“Lufta e Ftohtë” nisi në njëfarë kuptimi në kryeqytetin e Kanadasë, Otava, më 5 shtator 1945, vetëm 3 ditë pas dorëzimit të Japonisë ndaj aleatëve. Atë ditë Igor Guzenko, atasheu i ambasadës sovjetike, kërkoi azil në Kanada duke pasur me vete dhjetëra dokumente komprometuese mbi spiunazhin sovjetik në Kanada dhe SHBA, përfshirë dosjet për përpjekjet për prodhimin e armëve atomike.

Rrjeti i spiunëve përfshinte ekonomisten Anxhela Çapman, fizikantin Rejmond Bojer dhe kongresmenin komunist Fred Rouz, të cilët ia kaluan sovjetikëve procesverbalet e takimeve të jashtëzakonshme dhe sekrete mbi diskutimin e rezultateve të Projektit Manhatan.

Siç na e kujton Alfredo Mantiçi në librin e tij “Spiunët bërthamorë”, akti më me peshë është ai i Klaus Fuks, një qytetar gjerman që u lagua nga vendi për shkak të regjimit nazist dhe shkoi në Britaninë e Madhe. Fuks ishte një nxënës i Maks Born, dhe konsiderohet si një nga teoricienët më të mëdhenj në historinë e XX.

Ai u bashkua me ekipin e shkencëtarëve në laboratorin e kërkimeve atomike Haruell, dhe u emërua shef i një departamenti në vitin 1942. Më pas shkoi në Amerikë për të punuar në Projektin Manhatan që nisi vitin e ardhshëm.

Fuks ishte shpikësi i një metode për llogaritjen e energjisë që çlirohet gjatë zbërthimit të uraniumit, dhe për të kontrolluar transformimin e tij në plutonium, vendimtar për ndërtimin e një arme atomike. Ai ia dorëzoi sekretet KGB sovjetike nëpërmjet spiunit Herri Gold, një industrialist kimik nga Filadelfia, bir i qytetarëve rusë.

Vitet e fundit ka qenë i rëndësishëm edhe studimi që çoi në zbulimin e emrit të një një agjenti tjetër të dyfishtë, Oskar Seborer, një qytetar amerikan, që u kaloi sovjetikëve dokumente shumë të vlefshme. Historia e këtyre figurave kryqëzohet me legjendarët e “Pesëshja e Kembrixhit”, 5 agjentët e dyfishtë britanikë në shërbim të sovjetikëve, të cilët përveç transferimit të sekreteve në Moskë, kryenin demaskimin e emrave dhe identiteteve të agjentëve të dyfishtë aktivë në tokën sovjetike të paguar nga Perëndimi.

Kim Filbi (emri i koduar Stenli), Gai Barxhes (emri i koduar Hiks), Donald Maklin (emri i koduar Homer), Entoni Blunt (emri i koduar Xhonson) dhe Xhon Keinkros (emri i koduar List). Midis këtyre, Maklin, luajti një rol vendimtar midis spiunëve atomikë. Pasi ai kishte qasje direkte në Komisionin e Energjisë Atomike, dhe nuk e kishte të vështirë të vidhte dokumente që do të përdoreshin nga Bashkimi Sovjetik për të zhvilluar bombën atomike.

Akoma më i thellë ishte infiltrimi i Keinkros. Në fillim një zyrtar i Ministrisë së Jashtme britanike dhe më pas i Thesarit, ai u transmetoi rusëve pothuajse të gjithë dokumentacionin mbi strategjitë e planifikuara nga Uinston Çërçill në Kabinetin e Luftës.

Ai u dha sovjetikëve lajme mbi komitetet e krijuara për të studiuar arritjet shkencore dhe përdorur ato në dobi të luftës, dhe ishte ndoshta agjenti i parë që i informoi sovjetikët për vendimin e britanikëve dhe amerikanëve për të ndërtuar bombën atomike.

Një histori komplekse dhe e errët, që kishte më shumë degëzime rreth “trurit” qendror të Moskës.

Pavarësisht nga gjykimet morale mbi regjimin stalinist, duhet thënë se nuk ka asnjë dyshim se bomba bërthamor sovjetike prodhoi rezultatin e dyfishtë të arritjes së atij ekuilibri atomik midis superfuqive, që ishte në bazën e balancës së terrorit të Luftës së Ftohtë, dhe nga ana tjetër e kompaktësisë së Perëndimin, duke e ndihmuar në rizbulimin e vlerave dhe identiteteve të përbashkëta përtej të gjitha dallimeve.

Edhe kur nuk ishin në kontakt me njëri-tjetrin, spiunët e projektit bërthamore e përshpejtuan historinë.

Dhe në frontin perëndimor aventura e tyre duhet të na mësojë shumë mbi nevojën e ndërmjetësimit midis revolucioneve shkencore, aplikimeve konkrete dhe mbrojtjes së sigurisë kur bëhet fjalë për asetet kritike vendimtare për sigurinë kombëtare.

Sepse dje ashtu si sot, ajo që bën diferencën është faktori njerëzor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rezultatet tronditëse të një raporti britanik

“Gjysma e rusëve në Londër janë spiunë të Kremlinit”