MENU
klinika

Dy persona e sulmuan dhe u zhdukën pa gjurmë

Si u dhunua drejtori i Postës Shqiptare në Lezhë

27.12.2022 - 12:02

Drejtori i filialit të Postës Shqiptare në Lezhë, Pjerin Çuku është dhunuar mbrëmjen e shkuar nga persona ende të panjohur. Policia tha se ngjarja ndodhi rreth orës 16:30 minuta në lagjen “Gurra” të qytetit.

Mësohet se sulmi me grushte është bërë nga dy persona, për të cilët Policia tha se nuk janë identifikuar ende. “Sot, më datë 26.12.2022, rreth orës 16:35, në lagjen ‘Gurra’, Lezhë, dy persona janë konfliktuar me grushte me shtetasin P. Ç., 42 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë drejtor i Postës Shqiptare, dega Lezhë dhe më pas janë larguar me vrap. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e motiveve të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton Policia. Pas ngjarjes, drejtori ka përfunduar në spitalin lokal ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Zyrtari lokal është qëlluar me grushte dhe për pasojë dëmtimet e tij janë të vogla.

 

PRECEDENTI

 

Ky është rasti i dytë që ndodh brenda një muaji ku drejtues të institucioneve publike dhunohen. Edmir Përndreca u dhunua me sende të forta më 30 nëntor. Më 22 dhjetor, Policia zbardhi ngjarjen dhe çoi në pranga dy persona. Si autorë të dyshuar të ngjarjes janë shoqëruar në polici 5 persona, ku për dy prej tyre është prerë fletë arresti, përkatësisht Sebastiano Malotaj dhe Leonard Pepa, të cilët janë lënë në burg nga gjykata nën akuzën e plagosjes së rëndë me dashje.

“Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, fillimisht i kanë dëmtuar automjetin shtetasin E. P., gjatë lëvizjes, dhe më pas e kanë goditur atë, për shkak të detyrës, duke i shkaktuar dëmtime fizike”, sqaron Policia. Ka dyshime të forta se sulmi mund të jenë porositur nga persona të tjerë për të dhunuar drejtorin e OSHEE në Lezhë. Identifikimi i autoreve të dyshuar të ngjarjes u bë falë metodave speciale të hetimit, përmes përgjimeve ambientale dhe fokusimit të automjetit që kanë përdorur ditën e ngjarjes. Vetë drejtori deklaroi se ngjarja lidhej me detyrën e tij, duke theksuar se nuk kishte konflikte të tjera.

“Goditja është për shkak të detyrës se nuk kam pasur probleme të tjera dhe nuk ka të bëjë me asgjë tjetër dhe duke pretenduar gjithmonë që me treguesit kemi arritur në nivelet maksimale. Normale që prishen interesa dhe ndodh edhe kjo, qoftë edhe lëvizje punonjësish që prishin interesa dhe për ato. Jemi rikthyer në punë pa u tërhequr në asnjë moment për të zbatuar ligjin dhe për të bërë detyrën sepse prandaj jemi këtu. Nuk kam pasur asnjëherë probleme me 2 të akuzuarit, nuk i kam njohur. Besimin e kam të plotë që do të flasë vetëm ligji përderisa ka marrë një rrugë tjetër dhe nuk besoj se do të marrë rrugë tjetër. Nuk ka pasur incidente të kësaj natyre, është diçka ekstreme se nuk mund t’i dalësh një zyrtari kështu. Ka zyrë e komunikim, por jo rrugëve. Këto veprime nuk do të më pengojnë në punë. Do vijoj si më parë dhe me ritme më të shpejta për ta çuar arritjen e treguesve dhe perspektivat e mia deri në nivelet maksimale për sa kohë të jem në këtë detyrë”, tha Përndreca.