MENU
klinika

Albin Kurti i shqetësuar për situatën në veri

“Rusia po nxit tensione mes Prishtinës dhe Beogradit”

20.12.2022 - 10:49

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin se “Rusia po nxit tensione mes shtetit të tij dhe Serbisë, për shkak të lëkubndjeve në luftën e Ukrainës, në kohën kur Beogradi ka bërë kërkesë për kthim të ushtrisë në Kosovë”, ka shkruar mediumi prestigjioz “The Guardian” të martën.

Serbët në veri kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë e Bërnjak, pas arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, si të dyshuar për sulmet ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Policisë në përpjekjet për t’i organizuar zgjedhjet e parapara për 18 dhjetor.

Pjesëtarë të organizatave nacionaliste serbe me lidhje me grupe paramilitare ruse po qëndrojnë në anën e Serbisë afër kufirit me Kosovën. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tashmë ka kërkuar zyrtarisht nga NATO që t’ia lejojë Serbisë dërgimin e 1000 ushtarëve “për ta mbrojtur komunitetin serb”. Siç shkruan “The Guardian”, kërkesa e Serbisë me shumë siguri do të refuzohet, por shqetësimi është se ky mund të jetë hapi i parë drejt një vendimi të njëanshëm për lëvizje ushtarake.

Kurti ka thënë se është i shqetësuar që situata e tensionuar mund të përshkallëzohet në avantazh të Vladimir Putinit, pasi forcat ruse e serbe kanë kryer 104 ushtrime të përbashkëta ushtarake më 2021. Ai ka thënë se është pajtuar me KFOR-in, që t’i jepet kohë për t’i hequr barrikadat, por se “s’do t’i lejojnë gjatë”. I ka përshkruar barrikadat si hap drejt “copëtimit të shtetit”.

“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave s’mund të përjashtojë mundësinë e viktimave”, ka thënë ai, shkruan “The Guardian”.

“Dhe kjo është përse ne duam të jemi sa më shumë që mundemi të kujdesshëm që të sigurohemi se s’do të ketë destabilizime e se paqja dhe siguria do të jenë në vend. Gjithsesi, s’mund të lejojmë përgjithmonë shkeljen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Andaj, kjo duhet të marrë fund, sa më herët aq më mirë”.

Ai ka thënë se edhe Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pajtuar që barrikadat duhet të hiqen, por se shqetësohen se si mund të përdoret e abuzohet kjo nga Beogradi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN