MENU
klinika

"Po presim përgjigjen e KFOR-it"

Serbia: Situata në Kosovë është e paqëndrueshme

22.12.2022 - 18:02

Situata në Kosovë është e paqëndrueshme dhe se Serbia ende po pret përgjigjen e KFOR-it sa i përket dislokimit të ushtarëve serbë, tha më 22 dhjetor sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviç.

Këto deklarata ai i bëri për mediat e huaja në Beograd, në ditën e 13-të që kur disa serbë lokalë kanë ngritur në veri të Kosovës, dhe një ditë pasi kryeministrja serbe, Ana Bërbaniq, tha se situata është “në prag të konfliktit të armatosur”.

I pyetur nga gazetarët për vlerësimin e Ministrisë së Mbrojtjes serbe nëse situata është në prag të një konflikti të armatosur, Staroviç tha:

“Ne jemi shumë të kujdesshëm me fjalët që përdorim dhe gjithmonë bëjmë përpjekje që të përdorim një gjuhë të paqes për shkak të përgjegjësisë që kemi. Në anën tjetër, unë i kuptoj plotësisht deklaratat e dhëna nga kryeministrja serbe [Ana Bërnabiç] dhe nga presidenti [Aleksandar Vuçiç]”.
Ai shtoi se “është shumë e vështirë të vlerësohet situata në një mënyrë tjetër, pasi fatkeqësisht ne po përballemi me kërcënime të drejtpërdrejta të sigurisë, të mirëqenies, dhe madje të jetës së popullsisë serbe në veri të Kosovës”.

Staroviq iu referua një deklarate të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka shprehur shqetësim se “heqja e barrikadave mund të mos e përjashtojë mundësinë e viktimave” dhe ai e vlerësoi këtë deklaratë si “kërcënim” për serbët në Kosovë.

“Thirrja jonë, jo vetëm për Kurtin, por për të gjithë është që të përmbahen nga një gjuhë e tillë”, tha Staroviç.
Ai tha se Serbia po pret me durim përgjigjen e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, lidhur me kërkesën e Beogradit për dislokimin e trupave të ushtrisë serbe në Kosovë. Ai tha se bashkëpunimi me KFOR-in “është i mirë dhe i rëndësishëm”.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë se deri kur presin që të marrin përgjigje nga KFOR-i, Staroviç tha:

“Ne nuk presim që ata t’i përgjigjen menjëherë kërkesës sonë për të dislokuar një kontingjent të vogël të personelit tonë ushtarak”.
Megjithatë, Staroviç theksoi se “është e vështirë të besohet” që KFOR-i nuk do t’i përgjigjet kësaj kërkese, pasi sipas tij, kjo i lejohet Serbisë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në veri, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Barrikadat u ngritën në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiç. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiç dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deklarata e fortë e të dërguarës së Gjermanisë

“Ballkani i Hapur të mos dublojë procesin e Berlinit”