Zvicra po bën përgatitjet e fundit në kuadër të sfidës me Portugalinë, e vlefshme për fazën e 1/16 finale të Kupës së Botës. Helvetët të udhëhequr nga shqiptarët Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka morën një fitore të madhe ndaj Serbisë, por tani shohin më tutje, me shpresën se do të kalojnë në çerekfinale.
Autori i golit të parë ndaj serbëve paralajmëron se Cristiano Ronaldo është rreziku më i madh. Sipas Shaqirit, fakti që fituesi i shumëfishtë i Topit të Artë është 37 vjeç dhe aktualisht pa një ekip, do të thotë pak ose aspak.
“Duhet kujdes kur flasim se koha e Ronaldos ka përfunduar. Për mua, ai mbetet, së bashku me Messin, një nga futbollistët më të mirë në botë. Ronaldo mund të të shënojë në çdo sekondë, në çdo minutë të një ndeshjeje, me përvojën që ka, vazhdon të jetë thelbësor për Portugalinë.
Ekipi portugez ka lojtarë të tjerë të shkëlqyer, dhe jo vetëm Ronaldo, kështu që do të jetë një test i fortë për ne. Ne do të duhet të japim më të mirën tonë për t’i mposhtur ata. Ne nuk kemi individë si Ronaldo, por grupi ynë do të bëjë diferencën. Ne kemi nevojë për një performancë të shkëlqyer kolektive” – theksoi Xherdan Shaqiri.
Të dyja skuadrat e njohin mirë njëra-tjetrën, pasi u takuan në Ligën e Kombeve, ku Portugalia fitoi 4-0, ndërsa zviceranët mbizotëruan 1-0 në Gjenevë.