Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se është marrë vendim për shtyrje të zgjedhjeve. Ajo ka thënë se zgjedhjet do të mbahen në muajin prill, ndërsa data e saktë do të bëhet publike nesër.
“Diskutuam rreth datës më të përshtatshme dhe kohës së përshtatshme dhe në fund me konsensus të plotë, pas propozimit tim erdhëm në konkluzion që të shtyhen për muajin prill të vitit 2023, kurse data e saktë e muajit prill, sonte ose më largu nesër në mëngjes do t’i tregohet publikut”, ka deklaruar Osmani, referuar mbledhjes që ka zhvilluar sot me përfaqësues të partive politike në vend.
Ajo ka shtuar se kishte kontaktuar Bashkimin Evropian për t’i kërkuar mbështetje për mbikëqyrjen e zgjedhjeve në veri, por thotë se BE-ja i kishte bërë të ditur se për shkak të afatit të shkurtër kohor, nuk do të kishin mundësi të marrin pjesë.
“Deri tani asnjë organizatë vendore nuk është regjistruar po ashtu. Pra, këto zgjedhje do të ishin pa vëzhgim ndërkombëtar apo edhe vendor”, shtoi Osmani.
Shtyrja e zgjedhjeve vjen pas situatës së tensionuar në veri të Republikës së Kosovës.