Teuta duket se ka gjetur përsëri çelësin e suksesit, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi, së fundmi duke mposhtur 1-0 Tiranën në “Niko Dovana”.
Ndryshe nga një sezon më parë, kthimi i Edi Martinit në stolin e durrsakëve në një moment krize ka qenë mëse i suksesshëm pasi janë marrë 6 pikë radhazi në kampionat duke larguar përkohësisht durrsakët nga vendi i fundit në renditje.
Ndeshja ndaj bardhebluve ishte shumë e luftuar sidomos në mesfushë, por me skuadrat që kishin të vështirë të krijonin shumë raste të pastra për shënim. Teuta ia doli me një goditje dënimi në pjesën e parë por pa t’i anulohej goli pas ndërhyrjes së VAR-it.
Megjithatë, rrjeta do të tundej në pjesën e dytë po pas një goditje dënimi, me Markun që përfitoi nga një devijim për të mposhtur Beqajn. Tentativat e Tiranës për të shënuar golin e barazimit nuk ishin efikase në këtë sfidë dhe kështu bardheblutë u desh të dorëzoheshin në Durrës, duke mos shkuar në formën më të mirë të mundshme në derbin me Partizanin.