Abigeila Voshtina, drejtore e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, është shprehur se ndihet krenare për një nga aktivitetet e fundit të TKOB. Bëhet fjalë për operën “Don Pasquale” e Gaetano Donizettit e cila u risoll në skenën e Teatrit të Operas pas 64 vitesh.
Opera u soll nga tre kaste profesionistësh, shqiptarë dhe të huaj, të cilët interpretuan në 4 netë shfaqje për publikun kryeqytetas.
“Të tilla vepra formojnë një gjeneratë artistësh të çmuar që ndërtojnë mes tyre ura të forta për krijimin e një shoqërie më të mirë”, u shpreh Voshtina në rrjetet sociale.
Opera “Don Pasquale” u rikthye në skenë pas disa dekadash, me dimensione të reja regjisoriale dhe përgatitje të posaçme vokale për solistët. Kjo është një “opera buffa” ose opera gazmore e cila rrëfen historinë e Don Pasquale, një fisnik i vjetër dhe koprac që kërkon të martojë nipin e tij Erneston, me një grua të kamur.
Opera “Don Pasquale” për herë të parë u vu në skenë në 11 korrik të vitit 1959, me regji të M.G Gevorkian, dirigjent Simon Gjoni dhe piktor Shadan Toptani. Kësaj here në skenë u ngjitën Xhieldo Hyseni, Bledar Domi, Artur Vera, Solen Alla, Christian Collia, Gerald Murrja, Nina Muho, Renisa Laçka, Dorina Selimaj, Erlind Zeraliu. Dirigjent ishte Simon Krecic dhe regjisor Mariano Bauduin.