1 orë e 30 minuta priti autori në afërsi të bar kafes 49-vjeçarin, Edmond Papa për ta ekzekutuar. ‘Tv Klan’ raporton se 5 minuta pasi viktima mbërriti në shtëpinë e vëllait rreth orës 15.00, ekzekutori u kap nga kamerat e sigurisë në lagjen ‘Fadil Bodinaku’.
Ardhja e tij pas viktimës, ka shtyrë hetuesit të dyshojnë se për lëvizjet e biznesmenit, se autori mund tw jetë ndihmuar nga persona të tjerë. Aktualisht, grupi hetimor po analizon dhe lëvizjet e 49-vjeçarit përpara ekzekutimit. Grupi hetimor po grumbullon pamje filmike të vendeve të frekuentuara prej viktimës në Tiranë gjatë së premtes.
2 janë pistat kryesore ku policia dhe prokuroria ka përqëndruar hetimet. E shkuara kriminale e viktimës në fushën e narkotikëve si brenda dhe jashtë vendit, si dhe ndonjë konflikt i kohëve të fundit. Për ngjarjen në polici janë marrë në pyetje dhjetra persona, ndërsa pritet që deklarime të japin edhe kontaktet e fundit të 49-vjeçarit me vendbanim në Sarandë.
SI NDODHI VRASJA? 49-vjeçari Edmond Papa, u ekzekutua më 16 dhjetor rreth orës 16:30. 49-vjeçari u dërgua në spital, ku ndërroi edhe jetë. Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, pasi ishte i dënuar me 7 vite burg për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Në Sarandë, qyteti nga i cili ishte, viktima nuk njihej si njeri problematik por edhe me identitet tjetër, pasi përdorte edhe mbiemrin Hoxha. Ndërsa veç pronar i hotelit ‘Blue Sky’, ai kishte edhe një qendër biznesni në qendër të qytetit pranë Gjykatës së Sarandës. Ndaj dhe vrasja e tij dyshohet se nuk ka të bëjë me një konflikt të çastit, por ka qenë si rezultat i prishjes së ndonjë pazari mes viktimës dhe autorit, ose porositësit të krimit.