Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç mbrëm pas mesnatës ka deklaruar se heqja e barrikadave do të fillojë sot në mëngjes.
Pas bisedimeve me serbët nga Kosova dhe Metohia, Vuçiç tha se heqja e barrikadave nuk mund të bëhet për dy orë, por do të hiqen për 24 apo 48 orë.
“Heqja e barrikadave do të fillojë para mesditës, nuk mund të bëhet për dy orë, qoftë për 24 apo 48 orë, barrikadat do të hiqen, por mosbesimi mbetet”, tha Vuçiç.
Heqja e tyre kishte kushte nga Serbia. Barrikaduesit kërkuan siç thanë “Lirimin e serbëve të arrestuar”, të tërhiqen listat sekrete të Prishtinës që janë sipas tyre, “për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve”, si dhe “Prishtina zyrtare të tërheqë njësitë speciale të Policisë nga veriu i Kosovës”. Këto ishin kushtet për heqjen e barrikadave të ngritura në këtë zonë.