MENU
klinika

Tensionet në veri të Kosovës

Vuçiç urdhëron rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë

27.12.2022 - 11:17

Presidenti serb, i cili është edhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka urdhëruar që ushtria dhe të gjitha njësitë ministrisë së Punëve të Brendshme të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha mbrëmjen e 26 dhjetorit se Vuçiç ka urdhëruar që “Forcat e Armatosura të Serbisë të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, gjegjësisht gatishmërisë deri në nivelin e përdorimit të forcës së armatosur”.

Ai tha se rritja në nivelin më të lartë të veprimit nga ushtria serbe bëhet për të “mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe për mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, duke parandaluar terrorizmin dhe terrorin ndaj serbëve kudo që jetojnë”.

“Nuk ka arsye për panik, por ka arsye për shqetësim, sepse duket se Serbia është e vetmja palë e interesuar për të biseduar, për marrëveshje politike, për t’u takuar qoftë edhe një mijë herë derisa të gjendet ndonjë marrëveshje”.

“Pala tjetër është duke bërë vazhdimisht lëvizje të njëanshme, ngritë tensione dhe vazhdimisht çon në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, që për mendimin tim, ka një synim të qartë për pastrim të plotë etnik të Kosovës dhe Metohisë”, tha Vuçeviç, transmeton Radio Televizioni i Serbisë.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Bratislav Gashiq, tha mbrëmjen e 26 dhjetorit se kishte urdhëruar gatishmërinë e plotë luftarake të të gjitha njësive të MPB-së.

“Kam urdhëruar gatishmërinë e plotë luftarake të të gjitha njësive të MPB-së, xhandarmërisë, njësisë speciale antiterroriste dhe brigadës së Policisë”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Vuçiç, në një postim në rrjetin social, Instagram, më 26 dhjetor tha se “do t’i marrë të gjitha masat për të mbrojtur popullin serb në veri të Kosovës”.

“Ne po bëjmë çmos për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. Fatkeqësisht, ata nuk donin të na dëgjonin ose nuk u interesuan të na dëgjonin. Sot edhe Patriarkut Porfirije i ndalohet hyrja në Kosovë dhe Metohi, kjo nuk ka ndodhur kurrë në histori”, tha ai.

Duke folur për barrikadat, Vuçiç tha se ato janë vetëm një shenjë pakënaqësie.

“Prandaj, dua t’ju informoj se jemi në një situatë të vështirë, por do të bëjmë punën tonë më së miri dhe se do të kujdesemi në çdo mënyrë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, dhe jo vetëm kaq, por edhe ta mbrojmë popullin tonë në veri të Kosovës”, tha ai.

Ai tha se “pasi shqiptarët janë armatosur dhe kanë rritur gatishmërinë e tyre luftarake”, ai do të marrë të gjitha masat për mbrojtjen e popullit dhe ruajtjen e paqes në veri të Kosovës, por nuk specifikoi se për cilat masa bëhet fjalë.

Për 18 ditë me radhë, rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën me Serbinë – janë të bllokuara nga barrikadat e ngritur nga disa serbë lokalë.

Serbët ngritën barrikadat pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili, sipas autoriteteve të Kosovës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar më 26 dhjetor për situatën e krijuar në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe. Qeveria tha se është në komunikim të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe po pret që ata të veprojnë, duke theksuar që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet për të hequr barrikadat.

Mediat serbe kanë raportuar mbrëmjen e 25 dhjetorit për shkëmbime zjarri në Zubin Potok, dhe se të shtënat kanë ndodhur pasi Policia e Kosovës “ka dashur të heqë njërën nga barrikadat” në këtë komunë në veri të Kosovës.

Mirëpo, Policia e Kosovës demantoi raportimet e mediave serbe, kurse ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, fajësoi Vuçiçin për “lojrat e vazhdueshme”.

Ai tha se barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe se “Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës”./ REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Takimi pas tensioneve në veri të Kosovës

Çfarë pritet nga ballafaqimi Kurti-Vuçiç në Bruksel

Si duhet të reagojë Perëndimi

Analiza: Rusia po destabilizon Ballkanin

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor në rrezik

6 hapa për shpejtimin e integrimit në BE


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!