MENU
klinika

Nga Ylli Pata

Vula politike e “gjermanit të fundit”!

01.12.2022 - 20:32

Gjermania është sot një shtet shumë i fuqishëm, një fuqi reale botërore. Fuqia potenciale pas SHBA dhe Kinës. Diferenca e Gjermanisë me SHBA dhe Kinën, është se Uashingtoni dhe Pekini janë prej shumë kohësh në deficit. Gjermania nuk mbahet mend prej kur është në sufiçit. Pra ka më shumë të ardhura se shpenzime. Është si disa vende të Gjirit Persik apo Arabik, por ndryshe nga ata nuk prodhon naftë, pasi Gjermania nuk ka burime natyrore në shumicë.

Prej shumë vitesh Gjermania është forca e Bashkimit Europian, pasi mban buxhetin e tij, por dhe të vendeve anëtare. Mbahet mend kriza greke, ku ishte Gjermania që e shpëtoi fqinjin tonë jugor nga falimentimi. Siç ndodhi edhe me krizën e Covid 19 por edhe sot me rastin e luftës në Ukrainë.

Gjermania është vendi që çoi në burg Hashim Thaçin me shokë, sepse ai doli kundër publikisht, duke mbështetur planin e Grenell. Gjermania sot nuk është një faktor, është një motor politik, pasi ekonomik është prej vitesh. Të gjithë liderët e Evropës e dinë këtë. Boris Johnson duhet të dijë më shumë në këtë aspekt. Por Gjermania, Berlini, Republika Federale, sot në Tiranë ka dhënë një sinjal të madh, shumë të madh.

Shumë, mund të mos e pranojnë, por kjo s’ka lidhje, jemi në një rast ku ka ndodhur një përmbysje. Shqipëria sot është vizituar zyrtarisht nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë. i cili, ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore.

Një ditë më parë, kishim një diarre kundër ambasadores së SHBA dhe kolegëve të saj, sepse bënë homazhe ndaj të rënëve në luftë ndaj fashizmit. Çfarë si thanë. Sot këtë e bëri Presidenti i Gjermanisë. Pse? Sepse është një sinjal politik, që Gjermania e ka bërë me kohë, por ne kemi mbetur shumë por shumë larg e zihemi për gjermanin e fundit.

Dhe në mënyrë fantastike protokolli preçiz i Berlinit zgjodhi 30 nëntorin. Ja ky ishte mesazhi i fortë politik, i vizitës së parë të një presidenti të Gjermanisë në Tiranë. E nuk është president dosido por një ish-shef i shëbimeve sekrete, ish-ministër i jashëm dhe zv kryeministër dhe tani President. Këtë veprim e ka bërë me qëllim të tregojë se Berlini respekton dëshmorët antifashistë.

Është epokal si qëndrim, sepse bëhet me protokoll shteti. Tirana zyrtare dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë, duhet të ndihen të nderuar, të jenë mirënjohës ndaj Gjermanisë. Se kanë bërë shumë shtete të tjera që e kanë pushtuar Shqipërinë në të shkuarën, duke nisur nga Turqia, Greqia, Serbia, Bullgaria Italia etj. Por Gjermania sot është liderja politike dhe shoqërore e Europës dhe tregoi edhe qëndrimin e saj politik për luftën ndaj fashizmit.

E në këtë rast politika shqiptare nuk duhet të ketë kompleklse, por thjesht duhet të diskutojë dhe analizojë situatat historike. Edhe në Gjermani ka njerëz, apo edhe grupe që nuk ishin antifashistë, por sot e tregojnë qartësisht këtë qëndrim.

Nëse ballistët dikur u bënë me gjermanët për pragmatizëm, sot duhet të jenë antifashistë, si është për shembull Lea Ypi apo edhe shumë shquiptarë të tjerë që vijnë nga shtresa të së djathtës. Nuk po luftojmë me njëri tjetrin por me veten. Se ç’do t’i tregojmë fëmijëve…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN