MENU
klinika

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit

“7.5 milionë turistë vizituan Shqipërinë në 2022”

08.01.2023 - 14:54

7,5 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë përgjatë vitit 2022. Lajmin e ka ndarë në rrjetet sociale ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro. Ajo thekson se “viti 2022, nuk ishte vetëm viti me numrin më të lartë të turistëve gjatë sezonit veror, por me një fluks edhe në muajt e dimrit, shenjë e mirë drejt turizmit gjithëvjetor”.

Sipas saj, vizitorët e huaj që i besuan Shqipërisë pushimet e tyre, ishin 1,9 milionë më shumë se viti 2021 dhe 18% më shumë se viti 2019 që deri tani mbante rekordin.

Ministrja vuri në dukje se krahas fluksit në rritje të vizitorëve, interesante ishin të dhëna edhe për sa i takon gjeografisë apo shteteve nga erdhën turistët.

“85% më shumë vizitorë nga Anglia; 3,7 herë më shumë vizitorë nga Spanja; 2 herë më shumë vizitorë nga Sllovenia; 3 herë më shumë vizitorë nga Holanda; 84% më shumë vizitorë nga Turqia; 2 herë më shumë nga vendet nordike; e sigurisht mysafirët nga Kosova që janë shtylla jonë më e fortë e kemi detyrimin më të madh për t’u ofruar cilësinë maksimale në shërbim”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja u shpreh se, të njëjtën tendencë treguan edhe hyrjet nga Ballkani, që nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, por edhe mbi 50% rritje kanë pasur flukset nga Rumania, Kroacia apo Bullgaria.

“Mirënjohje pafund të gjithë sektorit të turizmit dhe mëngët përveshur për këtë vit të ri”, tha ajo.