Zyrtarët ekonomikë nga Bashkimi Evropian ofruan të hënën një vizion më të mirë për të ardhmen ekonomike të bllokut, me të dhënat më të fundit që tregojnë se Evropa mund të shmangë një recesion që ishte parashikuar disa muaj më parë.
Komisioneri Ekonomik i BE-së Paolo Gentiloni tha se megjithëse situata ekonomike e bllokut “është ende e pasigurt … ne kishim disa lajme inkurajuese.”
“Ne arritëm të reduktojmë varësinë tonë nga energjia, çmimet e energjisë ranë ndjeshëm dhe inflacioni arriti kulmin vitin e kaluar në Evropë,” tha Gentiloni përpara bisedimeve mujore me ministrat e financave të eurozonës në Bruksel.
“Pra, ekziston një shans për të shmangur një recesion të thellë dhe ndoshta për të hyrë në një tkurrje më të kufizuar dhe të cekët,” shtoi ai.
Komisioneri i tregtisë së BE Valdis Dombrovskis i bëri jehonë vlerësimit të Gentilonit, por shtoi se blloku duhet të “mbetet vigjilent”.
“Është e qartë, ne po shohim disa shenja pozitive dhe për shembull () tregu i punës i BE-së mbetet shumë i fortë. Ka gjithashtu disa indikacione se inflacioni mund të ketë arritur kulmin. Por unë do të thoja se duhet të qëndrojmë vigjilentë (…),” tha Dombrovskis gazetarëve përpara një takimi të Eurogrupit.
Aktiviteti i biznesit në Eurozonë po ngec
Vërejtjet vijnë pas një raporti në fillim të këtij muaji që nënvizonte se aktiviteti i biznesit në sektorin privat të eurozonës u tkurr më pak se sa pritej.
Indeksi përfundimtar i përbërë i menaxherëve të blerjeve të S&P Global kishte thënë se ekonomia e eurozonës vazhdoi të tkurret në dhjetor, por forca e rënies u moderua për të dytin muaj radhazi, duke treguar paraprakisht një tkurrje në ekonomi që mund të jetë më e butë se sa ishte parashikuar fillimisht.
Sondazhi i WEF: ekonomistët presin recesion global
Një sondazh i publikuar të hënën nga Forumi Ekonomik Botëror zbuloi se pothuajse dy të tretat e ekonomistëve të lartë nga sektori publik dhe privat besojnë se një recesion global ka të ngjarë këtë vit. Rreth 18% e të anketuarve e konsideruan një recesion jashtëzakonisht të mundshëm.
Edhe pse një e treta mendonte se një recesion mbarëbotëror mund të shmangej, kishte një konsensus mbi nocionin se perspektivat për rritje ekonomike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara ishin “të zymta”.
“Inflacioni aktual i lartë, rritja e ulët, borxhi i lartë dhe mjedisi i lartë i fragmentimit reduktojnë stimujt për investimet e nevojshme për t’u rikthyer në rritje dhe për të rritur standardet e jetesës për më të cenuarit në botë,” tha drejtoresha menaxhuese e WEF Saadia Zahidi në një deklaratë që shoqëronte rezultatet e sondazhit. .
Javën e kaluar, ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck parashikoi gjithashtu se ekonomia më e madhe e Evropës do të hynte në recesion në vitin 2023, si rezultat i hakmarrjes së presidentit rus Vladimir Putin nëpërmjet furnizimeve me energji për mbështetjen perëndimore të Ukrainës.
Habeck tha se ekonomia gjermane pritet të tkurret me 0.4% në vitin 2023 në mes të një krize të vazhdueshme të energjisë. Të dhënat e vitit 2022 të zbuluara javën e kaluar treguan se gjermania u rrit me 1.9% në 2022, nga 2.6% e regjistruar në 2021.
/Përkthyer dhe përshtatur për Konica.al nga Deutsche Welle