Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se ata që mohojnë masakrën dhe genocidin e Reçakut, ëndërrojnë përsëritjen e tij.
Komentet Kurti i ka bërë gjatë një fjalës së tij lidhur me këtë ngjarje të 24 viteve më parë, ku tha se masakra e Reçakut nxiti reagimin e shumë vendeve nga mbarë bota, duke u kthyer në një ndër argumentat më të forta për genocidin serb në Kosovë.
“Janë ato pamje të transmetuara nga mediat botërore, të shfaqura përsëri, duke u kthyer ndër imazhet me të cilat bota na njeh si vend i viktimës ku Serbia kreu krime dhe gjenocid. Masakra e Reçakut është një nga 400 masakrat, kjo masakër ndonëse është një prej tyre, është krimi i luftës që më së shumti i ka nxitur reagimet. E dëshmuar nga shumë media vendore dje ndërkombëtare, masakra e Reçakut u kthye në një nga argumentet më të pakontestueshëm. Para 3 viteve, presidenti i Serbisë deklaroi se masakra në Reçak është fabrikim dhe falsifikim. Dy vjet më vonë, shefi i inteligjencës së shtetit serb, në ditën e të drejtave universale më 10 dhjetor, e përsërit atë çka thotë presidenti. Ata që e mohojnë gjenocidin, ëndërrojnë për përsëritje të tij”, është shprehur Kurti.
Kujtojmë se masakra e Reçakut njihet si një ndër krimet më të shëmtuara serbe në Kosovë, ku viktima mbetën dhjetëra njerëz të pafajshëm.