Juventusi ka bërë ndryshime të rëndësishme në aspektin drejtues, duke larguar të gjithë bordin ekzekutiv pas skandalit të fundit që shpërtheu sa i përket mashtrimeve në bilancet financiare dhe “gropës” së borxheve që sa vjen e shtohet. Ndaj pritet që në vitin 2023 të nisë një cikël i ri, i cili do të përfshijë edhe zonën teknike të skuadrës.
“La Gazzetta dello Sport” bën të ditur se përtej fjalëve të hon Elkan, Alegri është “në provë” dhe në fund të këtij sezoni do të vlerësohet vazhdimësia apo jo e teknikut në pankinën e bardhezinjve. Ndërkohë, mbetet për t’u mësuar emri i drejtorit sportiv që do të nisë punën në verën e ardhshme, për të ndihmuar Alegrin,apo cilindo qoftë në pankinë, për të ndërtuar një cikël të ri nga e para, me më pak para, por me të njëjtin objektiv për të mbajtur Juventusin në majat e futbollit italian.
Nëse konfirmohet Alegri, ky i fundit pritet të “sponsorizojë” një emër që njeh shumë mirë, Frederik Masara. Drejtori sportiv aktual i Milanit, ka bërë shumë mirë te kuqezinjtë dhe blerjet e goditura në dy vitet e fundit në bashkëpunim me Maldinin kanë qenë një prej arsyeve pse ata ia dolën që të shpalleshin kampionë. Alegri ka luajtur përkrah Masara te Peskara dhe e njeh mirë atë, ndaj do të kërkojë nga klubi që të rrëmbejë drejtuesin nga kuqezinjtë, edhe pse nuk do të jetë aspak e thjeshtë.