MENU
klinika

"Po përsëriten argumentet"

Avokati i Kadri Veselit: Nuk ka prova për mbajtjen në paraburgim

06.01.2023 - 14:28

Avokati Ben Emmerson e ka konsideruar si të pabazuar mbajtjen në paraburgim të Kadri Veselit. Emmerson ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar thjesht po përsërit të njëjtat argumente që u përdorën për të justifikuar paraburgimin.

“ZPS-ja nuk arrin, si në parashtresat e saj origjinale ashtu edhe ato plotësuese, të paraqesë prova të reja në mbështetje të pretendimit për ekzistencën e rrezikut të pengimit në procedura. Në vend të kësaj, thjesht përsërit të njëjtat argumente që u përdorën për të justifikuar paraburgimin e z. Veseli më shumë se dy vjet më parë”, ka arsyetuar Emmerson.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me  pikat për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme. Paraburgimi rishikohet çdo 2 muaj ndërkaq deri më tani Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes një kundërpërgjigjeje ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Ben Emmerson, avokat i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ka rikujtuar dispozitat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas tij, vepra e supozuar dhe kohëzgjatja e dënimit nuk është bazë e mjaftueshme për të vazhduar paraburgimin.

“Së pari, sa i përket pretendimit se z. Veseli akuzohet për dhjetë pika, mbrojtja rikujton jurisprudencën e GJEDNJ-së sipas së cilës, me kalimin e kohës, graviteti i veprës së supozuar dhe kohëzgjatja e mundshme e dënimit nuk janë bazë e mjaftueshme për të vazhduar paraburgimin”,u shpreh Emmerson.

Ben Emmerson tutje ka thënë se Veseli nuk ka të bëjë asgjë me kompleksitetin e çështjes, pasi që kjo determinohet nga Prokuroria. Avokati ka theksuar se Kadri Veseli po ashtu nuk ka asnjë përgjegjësi pse Prokuroria ka vendosur të mbështetet në 300 dëshmitarë e 18 mijë faqe, prova thjesht të pretenduara.

“Kompleksiteti i çështjes vendoset nga autoriteti akuzues. Z. Veseli nuk mund të mbahet përgjegjës për qëllimin e Prokurorisë për t’u mbështetur në treqind dëshmitarë dhe tetëmbëdhjetë mijë prova”, ka shkruar avokati.

Në parashtresën e publikuar Emmerson ka thënë se kalimi i dy viteve në paraburgim është faktor që pasqyron se rreziqet e paraburgimit nuk ekzistojnë apo janë të ulëta.

“Mbrojtja kujton se me kalimin e kohës kërkohen arsye të tjera për të justifikuar paraburgimin dhe se mungesa e ndonjë zhvillimi të mëtejshëm tregon se rreziku fillimisht i identifikuar është bërë më spekulativ dhe me më pak peshë. Në mënyrë që status quo-ja të ruhet, rreziku duhet të rritet me kalimin e kohës në mënyrë që të balancohet pesha më e madhe që interesi i lirisë fiton me kalimin e kohës”, ka reaguar Emmerson.

Më 30 shtator 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Kjo aktakuzë është bazuar në vendimet e gjyqtarit të procedurës paraprake të datës 22 korrik dhe 29 shtator 2022. Paraprakisht më 29 shtator gjykatësi ka miratuar kërkesën e prokurorit për tërheqjen e pretendimeve për krime në territorin e komunës së Ferizajt. Aktakuza përbëhet nga dhjetë pika me të cilat të akuzuarit po ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi e dinin apo kishin dijeni për krimet se ishin gati të kryheshin apo janë kryer nga vartësit e tyre.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit

Kaos në Parlamentin serb, deputetët godasin njëri-tjetrin!

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin