MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Banalitetet në televizione duhen ndalur urgjentisht

18.01.2023 - 14:49

Pas përmbysjes së sistemit komunist, dukej sikur ishin “ngurrosur” të gjitha, dhe gjithçka nisi të shpërthejë. Nisën flokët e gjata tek meshkujt, fustanet e shkurtër dhe zhvashja tek femrat, nisën ekstravagancat e tjera, edhe pse ishte “modë” që kishte vite që kishte ikur nga vendet e tjera të Europës. Ishim lëshuar “nga zinxhiri”, dhe dukej sikur na falej ajo që bënim. Në qytete dhe fshatra, nisën të mos kërkonin punë, por në ato fillime u morën masivisht me firmat famëkeqe piramidale. Fusnin 200, dhe brënda 3 muajsh merrnin 900, shisnin shtëpitë, bagëtinë, trojet dhe tokat e bukës, dhe paratë i futën në firmat piramidale. Parazitizmi i zuri vendin punës, ashtu siç transformime të tilla paradoksale, ndodhën edhe në media. U ngritën radio dhe televizione, gazeta dhe revista, që nisën të promovonin banalitete. Humorin e bukur të estradave tona, e zuri fjalori dhe materialet e hartuara nga mediokrit, ku refereni batutës ishin fjalët banale.

Zhveshja e vajzave dhe banaliteti i prezantuesve dhe të ftuarve, zinin vendin kryesor në emisione humori, me tema sociale dhe ato të ditës. Emisionet nisën të trajtonin jo hallet dhe problemet e ditës që kishin shqiptarët, por format dhe mënyrat, se si ti, të bëhesh sa më shumë i pasur, sa më seksi, sa më i famshëm, pa punuar, por duke shfrytëzuar “resurse” të tjera të sistemit të ri. Droga, prostitucioni, krimi dhe autorët e krimeve, nisën të promovohen, pa e ditur sa dëme të mëdha po u shkaktonin brezave të rinj. Në shkolla po futej me pahir, mentaliteti i të paturit makinë luksoze pa punuar fare, se mund të bëheshe i pasur edhe pse nuk mund të kishe 1 ditë punë. Shkatërrimi dhe degjenerimi, po bëheshin me dashje pa dashje, promotori jetës së një brezi që po shkatërrohej. Gomonet, ikjet me viza dhe pasaporta fallco, futja në rrjetet e trafikut drogës, marrja e ndonjë vajze dhe nxjerrja e saj në semaforët e qytete të Europës, u bë i vetmi motiv për të rinjtë që iknin jashtë në mënyrë të paligjshme. Pas saj, erdhën krimet.

Vrasjet qysh nga 1992 deri sot, janë 100 fishuar, kurse gjakmarrjet dhe saga e hakmarrjeve, nuk mungon në asnjë moment. Por sikur të mos mjaftonin këto, edhe sot pas 32 vitesh, në mediat tona, kryesisht ato vizive, banaliteti dhe degjenerimi vazhdon hapur fare, ditën me diell, në sytë dhe veshët e AMA-s. Një strukturë e cila as kontrollon dhe as monitoron asnjë prej ekraneve tona lakuriqe. Fjalori banal, xhestikulacionet dhe veprimet nga më banalet nga prezantueset dhe të ftuarit e tyre, mbushin sot emisionet e turpshme, që do ti kishte zili çdo kompani filmike që realizon produksione pornografike në botë. Vajza dhe djem të pashkolluar ose të “shkolluar” me diploma fallco, kanë mbushur sot televizionet tona, duke marrë paradoksalisht “ok”-in, për “skenaret e tyre” (që do ti quaja paçavure) edhe nga pronarët e atyre mediave. Si mund të transmetosh një emision me të ftuar gjoja “emra të njohur”, të mbushur me fjalë dhe biseda banale, ku kryefjala e çdo komunikimi është fjalori banal që po shokon gjithë shqiptarët.

A e meritojnë të jenë “VIP”-a në një emision pa nivel emra “aktorësh” “këngëtarësh” apo “politikanësh”, ku suksesin e tyre e kanë vetëm tek ndonjë telenovelë lakuriqe ? Atyre u mungon formimi shkollor dhe intelektual, ata kanë fjalor të vakët dhe nivel të pamjaftueshëm për ti etiketuar “VIP”-a. Ne duhet ti themi sot “NDAL” banalitetit në televizionet tona, ne duhet ti themi sot “NDAL” atyre që vazhdojnë të abuzojnë me hapësirën mediatike, por fillimisht duke akuzuar për mungesë të zbatimit të ligjit, strukturën më parazite, që meriton përçmim popullor, AMA-n.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN