Në botën e kuzhinës, vetëm mendimi i disa pjatave, mund të mjaftojë për të shkaktuar makthe tek disa njerëz. (Si për shembull takos me karkaleca apo djathë i mbushur me krimba). Por një legjendë thotë se disa ushqime shkaktojnë makthe pasi i konsumoni.
Problemi është se faktet shkencore që i mbështetin këto pretendime janë të pakta. Në përgjithësi, ne nuk e kuptojmë aq mirë trurin tonë, sa të dimë saktësisht se çfarë i nxit ankthet dhe ëndrrat në përgjithësi. Por disa studiues kanë anketuar një numër të madh njerëzish për të vlerësuar ndonjë lidhje të mundshme.
Kjo është pikërisht ajo që bënë Tor Nilsen dhe Rasëll Pauell disa vite më parë, pasi morën kërkesa të vazhdueshme në media për llojet e ushqimeve që shkaktojnë ankthe ose ëndrra të çuditshme gjatë festave. “U lodha duke u thënë që nuk e dimë realisht, pasi kjo gjë nuk ka ende një shpjegim shkencor”-thotë Nilsen, drejtor i laboratorit të ëndrrave dhe makthit në Spitalin Zemra e Shenjtë në Montreal, Kanada.
Qumështi dhe djathi
Nilsen dhe Pauell pyetën gati 400 nxënës të kolegjit mbi modelet e tyre të gjumit, ëndrrat dhe dietën ushqimore. Sondazhi përfshinte pyetjen nëse ata kishin vënë re ndonjë lidhje midis ëndrrave të çuditshme apo shqetësuese dhe një ushqimi të caktuar që kishin konsumuar.
Vetëm rreth 11.5 për qind e të anketuarve, raportuan se ëndrrat e tyre ndikoheshin nga një ushqim i caktuar. “Për çudi ishte një shifër shumë e ulët”- thotë Nielsen. Nga këta, rreth 43.8 për qind raportuan se ngrënia e produkteve të qumështit u shkaktonte ëndrra të këqija, ndërsa 38.5 për qind raportuan se qumështi ndikonte në ëndrrat e tyre të çuditshme.
Më konkretisht, kategoria e qumështit ndahej në disa lloje të ndryshme ushqimore. Djathi ishte ndikuesi më i madh i ëndrrave shqetësuese midis produkteve të qumështit, me 12.5 për qind të të anketuarve që raportuan djathin, ndërsa pica kishte lidhjen më të madhe me ëndrrat e çuditshme, me 11.5 për qind.
Edhe të anketuar të tjerë raportuan se qumështi shoqërohej me ëndrra në formë makthi. dërsa ky studim ishte një eksplorim fillestar mbi këtë temë, Nielsen thotë se është e besueshme që qumështi mund të shkaktojë ëndrra të çuditshme ose të këqija.
Ai spekulon se kjo mund të lidhet me një formë të intolerancës së butë ndaj laktozës, ndaj së cilës nuk ishin në dijeni pjesëmarrësit. Gazrat ose fryrja e barkut mund të shqetësojnë modelet e zakonshme të gjumit, dhe zgjimi më i shpeshtë gjatë natës mund të nënkuptojë që njerëzit kanë më shumë shanse të kujtojnë ëndrrat e tyre.
Nga ana tjetër, ka të ngjarë që e gjithë ideja e bulmetit që shkakton ëndrra të çuditshme, të ketë më shumë lidhje me kulturën sesa me vetë fiziologjinë. “Që në vitet 1920 ka dominuar ideja se konsumi i djathit para gjumit do të shkaktonte makthe dhe ëndrra”- thotë Nielsen. Është e mundur që kjo ide të ketë mbetur aq shumë në nënvetëdijen popullore të shoqërisë, saqë shumë njerëz e besojnë ende, pavarësisht nëse është apo jo e vërtetë.
Sheqeri dhe erëzat
Sipas studimit të Nilsen, 18.8 për qind e atyre janë ndjeshëm ndaj ushqimit, e lidhin ushqimin pikant me ankthet që përjetojnë në gjumë. Rreth 7.7 për qind e tyre fajësuan ushqimet pikante për ëndrrat e çuditshme që kishin parë. “Qumështi dhe erëzat ndiheshin shumë në përgjigjet e tyre”- thotë Nilsen.
Por edhe sheqeri përmendej shumë. Në mesin e pjesëmarrësve që raportuan lidhje midis ushqimit dhe ëndrrave, 12.5 për qind thanë se ushqimi i ëmbël ishte i lidhur me ëndrrat shqetësuese, ndërsa 30.8 për qind thanë se i lidhnin ëndrrat e çuditshme me konsumin e ushqimeve që përmbajnë sheqer.
Në këtë rast, thotë Nielsen, mund të kombinohen kategoritë e qumështit dhe sheqerit. “Ngrënia e ëmbëlsirave me sheqer dhe bulmeti do të ishin fajtorët kryesor”- thekson ai. Disa artikuj të tjerë përfunduan në “listën e fajit”, përfshirë ushqimet me niseshte dhe mish. Por Nielsen thekson se ka të ngjarë që njerëzit të fajësojnë shpesh diçka që e kanë ngrënë jashtë zakonit, siç për shembull një vegan që ha bulmet. “Përshtypja ime është se njerëzit fajësojnë shpesh për ëndrrat e tyre çdo ushqim të çuditshëm që kanë ngrënë. Kjo është diçka shumë e lehtë”-thekson ai.
Dieta e përgjithshme
Sondazhi zbuloi gjithashtu disa tendenca më të përgjithshme në modelet e të ngrënit dhe të gjumit. Për shembull, të anketuarit që raportuan të ngrënit e tepruar apo emocional, kishin tendencën të shihnin ëndrra më shqetësuese se sa ata që hanin më shëndetshëm. Ndërkohë, njerëzit që agjëronin raportuan se kishin parë ëndrra shumë të gjalla, pra si gati reale.
“Është e njohur prej kohësh që agjërimi mund të shkaktojë ëndrra të gjalla. Ne zbuluam një dallim mjaft të qartë me stilin e jetës që lidhet me ëndrrat shqetësuese, dhe stilin e jetës që lidhet me këto lloj ëndrrash”-thotë Nilsen. Në çdo rast, studimet nuk kanë një përgjigje të prerë mbi këtë gjë.
I vetmi sondazh tjetër që hasi Nilsen ishte ai i drejtuar nga Bordi Britanik i Djathit dekada më parë, i cili ndoshta po përpiqej të kundërshtonte idenë se djathi mund të shkaktonte makthe tek njerëzit. Madje ai sugjeroi se disa lloje djathërash mund të shkaktonin ëndrra me personazhe të famshëm, dhe zbuluan se djathi nuk shkaktonte makthe apo ëndrra të çuditshme.
“Rezultatet e studimit tonë e kundërshtuan këtë pretendim”- thotë ai. Në fakt hulumtimet mbi këtë temë sapo kanë filluar. Nilsen thotë se lloji më i mirë i studimit për të gjurmuar lidhjen midis ushqimeve specifike, do të ishte t’u kërkohej pjesëmarrësve në një studim të hanë ushqime të caktuara përpara se të flenë, dhe të raportonin se çfarë lloj ëndrrash apo makthesh kishin përjetuar.