Copa America 2024 do të luhet në Shtetet e Bashkuara dhe do të ketë 10 ekipe nga CONMEBOL dhe gjashtë ekipe nga CONCACAF. Njoftimi u bë këtë të premte nga konfederatat e Amerikës së Jugut dhe Amerikës së Veriut dhe Karaibeve.
Turneu do të organizohet nga dy konfederatat dhe do të luhet në verën e vitit 2024, periudhë e cila zgjat nga qershori deri në gusht. Gjashtë skuadrat më të mira të CONCACAF në Ligën e Kombeve të kontinentit në 2023/24, do të jenë në garë si mysafirë.
Vendimi është pjesë e një marrëveshjeje bashkëpunimi strategjik midis subjekteve për të forcuar dhe zhvilluar futbollin në të dy rajonet. Marrëveshja parashikon gjithashtu garat ekipore për femra dhe një turne të ri klubesh.
Kombëtaret e femrave të Amerikës së Jugut u ftuan të marrin pjesë në CONCACAF Gold Cup 2024, i cili do të mbahet gjithashtu në SHBA, me 12 ekipe. Përfaqësues të Amerikës së Jugut do të jenë: Brazili, Kolumbia, Argjentina dhe Paraguaj.
Gara që do të promovohet mes klubeve të CONMEBOL dhe CONCACAF do të jetë një lloj “Final Four”, me dy skuadra nga secila konfederatë. Parashikimi është që edicioni i parë të jetë gjithashtu në vitin 2024. Duhet kujtuar se Botërori i ardhshëm, në vitin 2026, do të luhet në Meksikë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.