MENU
klinika

“Zyrtarët e lartë janë shqetësuar”

Deklarata e fortë e Yuri Kim: Nuk po i zë gjumi, vrasin mendjen kush do shkojë në burg i radhës

19.01.2023 - 23:20

Pandëshkueshmërisë po i vjen fundi, tha ambasadorja amerikane Yuri Kim në një intervistë për gazetarin Sokol Balla. Sipas saj, faktet po tregojnë se reforma në drejtësi ka nisur të japë rezultate dhe zyrtarët e lartë të shtetit janë të shqetësuar.

“[…} faktet tregojnë një histori tjetër. Tregojnë historinë se pandëshkueshmërisë po i vjen fundi. Tregojnë historinë e zyrtarëve të lartë të shqetësuar. Kam dëgjuar plot histori për njerëz që nuk i zë gjumi, duke vrarë mendjen nëse e kanë radhën ata për shpalljen tjetër non-grata apo për ndjekje penale. Dhe nëse je i shqetësuar, me shumë gjasë ke arsye të forta për t’u shqetësuar. Dhe do t’iu thoja përsëri të gjithë prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesve, bëni punën tuaj”, tha Kim.

Duke ju përgjigjur gazetarit për insistimin e tij për reformën në drejtësi, Kim tha se duhet të kuptohet se ajo nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur.

“Mendoj se ka rëndësi që të mbajmë në mend dhe të jemi realistë dhe të kuptojmë që diçka kaq radikale sa reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur. Është si të thuash që një vrapues duhet ta nisë nga maratona. Nuk fillohet aty. Po e bëre, do dështosh. Duhet të ndërtosh forcën”, vijoi diplomatja amerikane.

Yuri Kim tha se në Shqipëri ka njerëz që propagandojnë se reforma në drejtësi nuk ka për të ndodhur dhe do të dështojë.

“Puna dhe detyra jonë është të themi se duhet të ketë sundim të ligjit në këtë vend; që është koha që pandëshkueshmëria të marrë fund. Dhe besojmë se reforma në drejtësi po fillon të japë rezultate. Edhe një herë, shikoni faktet. Mos u shpërqendroni nga propaganda nga të gjitha anët. Ka disa njerëz që duan që ju të besoni se reforma në drejtësi nuk ka për të ndodhur. Ndaj injorojnë faktet dhe thonë se asgjë s’ka ndodhur kështu që është okay të thuash se s’do ndodhë gjë.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Takime me Çelën dhe Ibrahimin

Ambasadorja amerikane zbarkon në Prokurori