Dy skuadrat kryesuese në Konferencën e Perëndimit në NBA po vijojnë me fitoret në distancë, duke u shkëputur ndjeshëm nga të tjerat.
Denver qëndron në krye të renditjes pas fitores 122-118 ndaj Minnesotas, ndeshje me rivalitet deri në fund. Shkëlqeu Nikola Jokic, që realizoi sërish një “Triple double”, me 31 pikë, 11 rebound e 13 asist, duke qenë lider në fushë për Nuggets, mbështetur edhe nga Murray me 28 pikë.
Të njëjtin ritëm mban Memphis, që mundi me shumë vështirësi 115-114 Cleveland dhe qëndron pas Denver në renditje. Bane dhe Morant me nga 25 pikë secili bënë diferencën në parket për Memphis. Për Grizzlies ishte fitorja e 11-të radhazi, duke u afruar me rekordin e këtij sezoni që mbahet nga Brooklyn Nets me 12.
Zhgënjen sërish Los Angeles Lakers, që në fushën e tyre u mund 116-111 nga Sacramento Kings, me Fox për miqtë që realizoi 31 pikë. LeBron James realizoi 32 pikë, por që mbetën për statistikë. Kalifornianët, pretendentë në fillim të sezonit, nuk arrijnë të krijojnë një ecuri radhazi fitoresh dhe për pasojë play-off vihet në diskutim.