MENU
klinika

"Të ndryshojë akuza për ish-ministrin"

Familja Durda në SPAK: Fatmir Mediu vrau, nuk shpërdoroi detyrën

22.01.2023 - 16:43

Familja Durda, e cila më 15 mars 2008 humbi të birin, Edisonin vetëm 7 vjeç nga shpërthimi në Gërdec, i kërkon SPAK-ut të ndryshojë kualifikimin e veprës penale për ish Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, nga “shpërdorim detyre” në ‘vrasje në rrethana cilësuese’ ose “vrasje me dashje të tërthortë” që do të thotë nuk donte pasojën por e la të ndodhte.

Kërkesa është depozituar të premten në Prokurorinë e Posaçme, përmes prapësimeve të dorëzuar si pala kallëzuese pasi SPAK i njoftoi për përfundimin e hetimeve. Bashkëshortët Feruzan dhe Zamira Durda, që në tragjedinë e 15 marsit 2008 humbën djalin e tyre 7 vjeçar Edisonin u paraqitën sërish në SPAK. Ata dorëzuan me shkrim pretendimet brenda afatit 10 ditor nga njoftimi i akuzës për ish ministrin.

Më 11 janar 3 prokurorët Klodian Braho, Altin Dumani dhe Arben Kraja i komunikuan Fatmir Mediut akuzën për “shpërdorim detyre” dhe “shpërdorim të detyrës në bashkëpunim” me kuadrin komandues ushtarak. Ish-ministri e cilësoi me prapavijë politike akuzën ndaj tij ndërsa e avokatët Henrik Ligori dhe Ardjan Visha e quajtën absurd vendimin e prokurorisë. Ata pretenduan se është një akuzë e ngjizur nga hiçi, dhe do të kërkojnë pushimin e çështjes.

Pas marrjes së pretendimit të palëve SPAK pritet ta dërgojë çështjen në gjykatë ndërsa gjyqtari paraprak do të jete ai që do të vendosë nesë do e kalojë për gjykim me provat e paraqitura nga prokuroria apo do të pranojë pretendimet e mbrojtjes.

Në mars të vitit të kaluar SPAK kërkoi rigjykimin e Fatmir Mediut, pasi e akuzon si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur. Më herët avokatët e Mediut pretenduan se rihapja e dosjes Gërdeci ishte në shkelje të ligjit, të parimit të gjësë së gjykuar. Shkelje u konsiderua sipas mbrojtjes dhe fakti se një gjykatë më e vogël prishi vendimin e Gjykatës së Lartë.

Çështja ndaj ish ministrit Fatmir Mediu u mbyll më 14 Shtator 2009, kur ai u rizgjodh deputet pasi avokatët mbrojtës në atë kohë argumentuan se hetimi ndaj tij bëhej vetëm pas autorizimit të Kuvendit për heqjen e imunitetit. Ishin familjarë e Edison Durdajt, 7-vjeçarit që humbi jetën gjatë shpërthimit që e vendosën në lëvizje SPAK për të rihapur dosjen Gërdeci.

Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës

Ministrja Manastirliu: Më shumë se një thesar fjalësh!

Prezantohet “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”