Filmi “Sheets” i regjisores shqiptare Evi Gjoni, ka korrur sukses në premierën e saj botërore në Itali.
Lajmin e jep Qendra Kombëtare e Kinematografisë, e cila ka dhënë dhe mbështetjen financiare për prodhimin e filmit. “Super sukses i regjisores Evi Gjoni në premierën botërore të filmit të saj të shkurtër “SHEETS”, shkruan QKK në rrjetet sociale, për triumfin e arritur në “Trieste Film Festival”.
Filmi shqiptar rrëmbeu 2 çmime në “TFF”: Çmimin e publikut për “Miglior Cortometraggio” dhe çmimin “Menzione Speciale” të jurisë.
QKK ka uruar stafin dhe gjithë bashkëpunëtorët. Evi Gjoni vjen me “Sheets” pas një përvoje të gjatë në cilësinë e asistent regjisores. Një ndër filmat ku ajo ka punuar më herët është dhe “Two lions heading to Venice”, film i cili pati jehonë në media.
Filmi Sheets është prodhuar nga “Ska-Ndal”, me mbështetje financiare nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.