Flamurtari i basketbol lit të femrave vijon ec urinë e shkëlqyer në sezonin 2022-2023, duke ngritur lart një tjetër trofe të rëndësishëm, siç është Kupa e Shqipërisë. Vlonjatet mundën në finalen e djeshme Partizanin me rezultatin minimal 74-73 në një sfidë dramatike të zhvilluar në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”.
Ashtu siç edhe e tregon rezultati, ndeshja ishte mjaft e fortë dhe u deshën vetëm sekondat e fundit për të përcaktuar fituesin. Partizani e nisi takimin shumë më mirë, duke befasuar me disa pikë radhazi dhe duke vendosur menjëherë epërsinë dhe diktatin në lojë.
Entuziazmi te kryeqytetaset ishte i dukshëm, të cilat të shoqëruara edhe me dëshirë e organizim e mbyllin 10- minutëshin e parë me 13 pikë avantazh. Por në çerekun e dytë Flamurtari “zgjohet” dhe menjëherë futet në ritmin e finales. Diferenca në pikë ngushtohet ndjeshëm, por jo aq sa të përmbyset rezultati.
Pas pushimit loja është e barabartë dhe në shumicën e kohës janë lojtaret e Partizanit që udhëheqin ngushtë. Ka dinamikë, agresivitet dhe lojë të bukur, elemente këto të denja për një ndeshje finale.
Edhe në periodën e fundit janë sërish kryeqytetaset që udhëheqin lehtë, por në minutat e fundit të kuqet kanë një ngërç në lojën e tyre, duke i dhënë mundësi Flamurtarit të qëndrojë afër, madje herë pas here edhe të kalojë në epërsi.
Sekondat e fundit janë më të bukurat, pasi herë njëra skuadër herë tjetra kalojnë në epërsi të vetëm një pike. Por në fund janë vlonjatet ato që tregohen më të sakta, duke vendosur kështu duart te trofeu.
Në fund nuk mungojnë gjithashtu as polemikat, teksa stoli i Partizanit, lojtaret dhe trajnerja Eliverta Bujari kanë pretendimet e tyre te gjyqtaria.
Trajnerja e Partizanit pretendon për një pushim të mohuar, kur duheshin vetëm disa sekonda. Nga ana tjetër tavolina pretendon se loja kishte filluar në momentin që trajnerja e kuqe kërkoi pushimin.
Kjo bëri që festa e Kupës të shtyhet për disa minuta. Më pas tavolina dhe gjyqtarët konfirmuan se gjithçka ishte e rregullt, duke i hapur rrugën festës së ekipit vlonjat me kapitenen Tea Memushi që ngriti lart Kupën e dorëzuar nga presidenti i FSHB-së, Avni Ponari.
Kjo ishte Kupa e 20-të e Shqipërisë në histori për Flamurtarin dhe trofeu i katërt sezonal për vlonjatet, të cilat më parë kanë fituar Superkupën Mbarëkombëtare, Kupën e FSHB-së dhe Superkupën e Shqipërisë.