Në poemën e tij me titull “Nachtgedanken” (“Mendimet e natës”), shkruar në vitin 1844, shkrimtari hebreo-gjerman, Hajrih Hajne, bën thirrje për unitet dhe modernitet në atdheun e tij të fragmentuar e të sunduar nga feudalët.
“Nëse mendoj për Gjermaninë natën, gjumi merr arratinë”, shkroi ai në dy rreshtat e parë të një prej poezive më të njohura në këtë vend. Edhe unë ndihem njëlloj sot për Gjermaninë. Në fillim si student i gjuhës gjermane dhe më pas si korrespondent i ri i huaj, kam kaluar disa nga vitet e mia të formimit profesional në Gjermaninë e atëhershme Perëndimore.
Për herë të parë në jetën time jetova, dashurova dhe ëndërrova në një gjuhë të huaj. Ajo ishte vija e parë e frontit në Luftën e Ftohtë, dhe më kujtohet ende se si ndryshonin erërat e duhanit, ushqimit dhe gazit të makinave teksa kaloje Murin e Berlinit. Ndarja e Gjermanisë ilustron kontrollin e pasluftës të Perandorisë Sovjetike në Europë, ashtu si ribashkimi gjerman mishëroi fundin e tij.
Megjithatë, Gjermania të tmerron po aq sa edhe të kënaq. Unë isha i hutuar nga “Gorbymania”, simpatia që kishin gjermano-perëndimorët me udhëheqësin e fundit sovjetik Mikail Gorbaçov. Dhe isha i indinjuar nga ajo që pasoi. Gjermania e sapobashkuar u afrua shumë me Rusinë duke i shpërfillur në përgjithësi vendet e tjetra të Europës Lindore.
Në vend se t’i jepnin prioritet sigurisë dhe mirëqenies së vendeve si Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia – të cilat u masakruan nga aleanca e vitit 1939 midis liderit nazist Adolf Hitler dhe diktatorit sovjetik Josif Stalin – politikanët gjermanë të të gjithë krahëve ndoqën një politikë lakmitare dhe të papërgjegjshme.
Gjermania e zvarriti pranimin e demokracive të reja lindore në Bashkimin Europian dhe sidomos në NATO. Ndërkohë, ajo firmosi marrëveshje dypalëshe shumë fitimprurëse me Moskën, veçanërisht 2 gazsjellësit “Nord Stream” përgjatë Detit Baltik.
Përpjekjet për ta kundërshtuar këtë gjë dështuan. Sa herë jam përpjekur me shkrimet e mia të jepja leksione duke i paralajmëruar gjermanët për rrezikun që paraqiste imperializmi rus i porsalindur dhe më pas i ringjallur plotësisht, ata qeshnin me mua.
Më kujtohet ende reagimi ironik i kancelarisë gjermane rreth vitit 2010, kur unë u përpoqa t’i paralajmëroja bashkëbiseduesit e mi mbi rrezikun e taktikave të luftës hibride ruse – koktejin toksik të dezinformimit, shantazhi ekonomik, subversionit, spiunazhit dhe kërcënimeve të hapura të forcës që Rusia përdorte kundër fqinjëve të saj.
“Vërtetë e keni seriozisht kur pretendoni se Rusia do t’i kryente këto operacione kundër Republikës Federale të Gjermanisë?”, më pyetën me mosbesim miqtë e mi gjermanë. “Po”- u përgjigja. Vetëkënaqësia e Berlinit u dha mundësi spiunëve, mashtruesve dhe banditëve rusë që të vjedhin sekretet shtetërore, të vrasin kritikët e Kremlinit dhe të ndërtojnë bastione të ndikimit rus në Gjermani.
Prandaj lajmi se një oficer i Bundesnachrichtendienst – shërbimi i inteligjencës së jashtme gjermane – u arrestua javën e kaluar me akuzën e spiunazhit për llogari të Rusisë nuk duhet të cilësohet si i befasishëm. “Në rast se doni që Kremlini ta marrë seriozisht diçka, atëherë jepuni gjermanëve dhe u thoni se është një sekret”, – më tha gjithë nerva një oficer i shërbimit sekret nga një vend i NATO-s në vitet 1980.
Sido që të jetë, depërtimi rus (dhe tani ai kinez) në shërbimet gjermane të sigurisë është thelluar shumë që nga ajo kohë. Komplekset e shumta historike, gjeografike dhe gjeopolitike nga të cilat vuan Gjermania janë të lidhura midis tyre. Alergjikë ndaj nacionalizmit për shkak të abuzimit me të nga regjimi nazist i Adolf Hitlerit, gjermanët u zmbrapsën nga roli që luajti ndjenja patriotike në kryengritjet e viteve 1988-1991 që sollën rrëzimin e komunizmit. Europiano-lindorët “nacionalistë” mërmëritën gjermanët në shenjë mosmiratimi (edhe pse nacionalizmi rus, një forcë shumë më e madhe dhe më toksike, u injorua prej tyre). Merita për fundin e Luftës së Ftohtë, i thanë vetes gjermanët, ishte në fakt e Ostpolitikës së tyre – ose “politikës lindore” – të viteve 1970 dhe 1980, e cila u fokusua në afrimin dhe ndërtimin e besimit me bllokun sovjetik.
Për më tepër, Bashkimi Sovjetik dha shenjën e bashkimit gjerman duke e tërhequr ushtrinë e tij nga ish-Gjermania Lindore. Përgjigjja ishte mirënjohja dhe jo skepticizmi. Shpenzimet ushtarake dolën nga moda, duke u përgjysmuar në thuajse 1 për qind të PBB-së deri në vitin 2005.
Politika gjermane mendonte se problemet duhet të zgjidhen me dialog dhe jo me konfrontime anakronike. Se mënyra e duhur për të shmangur konfliktin ishte nxitja e tregtisë dhe investimeve. Se Rusia nuk do të sulmonte kurrë klientët e saj. Dhe ne po e shohim tani se si funksionoi ajo qasje.
Gjermania po përpiqet tani që të shkëputet nga furnizimet energjetike ruse, dhe po shqetësohet gjithnjë e më shumë për varësinë e saj nga Kina. Gjatë gjithë këtyre viteve, një klimë e përhapur antiamerikanizmi në Gjermani, e ushqeu ekuivalencën morale dhe çfarëdolloj lidhjeje.
Është e vërtetë, regjimi i Putinit ka të metat e tij. Por çfarë ndodh me Shtetet e Bashkuara, me luftërat e dështuara në Irak dhe Afganistan, aparatin e tij të fuqishëm të sigurisë (shumë gjermanë e konsiderojnë si një hero Eduard Snouden, kontraktorin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, që zbuloi informacione të klasifikuara dhe kërkoi azil në Rusi) dhe figura alarmante si presidentët Xhorxh W.Bush dhe Donald Trump?
Gjermanët ndihen në faj për krimet e epokës naziste të vendit të tyre, por janë më pak të vetëdijshëm se Lufta e Dytë Botërore solli shumë më tepër vdekje dhe shkatërrim në Ukrainë sesa në territoret që përbëjnë tani federatën ruse. Padija e tyre ndaj historisë i pengon ata të vënë në zbatim mësimet e së kaluarës ndaj krimeve dhe rreziqeve të tjera.
Vuajtjet e dikurshme të Rusisë për shkak të Gjermanisë naziste e mbrojnë atë nga censura. Padukshmëria e Ukrainës në kujtesën historike gjermane, përjashton zemërimin ndaj fatit të saj. Por iluzionet u zhdukën. Pak para sulmit të Rusisë në Ukrainë në shkurt, qeveria e kancelarit gjerman Olaf Sholc u tall për ofrimin e vetëm 5.000 helmetave si “ndihmë ushtarake” për Ukrainën e rrethuar. Ditë më vonë, Sholc njoftoi Zeitenwende – një “ndryshim epokal” – me rritje prej 100 miliardë eurosh në buxhetin e mbrojtjes së vendit të tij.
Mbështetja retorike për Ukrainën shtrihej në të gjithë spektrin politik. Kundërshtuan vetëm e majta dhe e djathta radikale. Shoqëria civile gjermane u angazhua të priste qindra mijëra refugjatë ukrainas. Sipas standardeve të kaluara, ndryshimi ishte vërtet befasues. Por fjalët dhe veprat nuk i përmbushin premtimet.
Tashmë, Gjermania po bën hapa pas në raport me angazhimet e saj për të rritur me shpejtësi shpenzimet e mbrojtjes në 2 për qind të PBB-së, një objektiv që tani do të arrihet vetëm në vitin 2025. Zyrtarët thonë se sistemi i prokurimit nuk është në gjendje të thithë më shumë para në mënyrë efikase.
Ç’është më e keqja, Sholc dëshiron publikisht një kthim në “rendin e paqes së paraluftës” së Europës, duke sugjeruar se nuk ka mësuar ende mësimet e vitit 2022. Dekadat e kaluara nuk ishin një oaz sigurie, por një kohë e rrezikshme, në të cilën ekonomia më e rëndësishme e Europës i shpërfilli kërcënimet e mundshme nga Rusia dhe Kina.
Deficiti i besimit midis Gjermanisë dhe shumë prej partnerëve të saj europianë mbetet i madh. Në një konferencë në Berlin, ministri letonez i Mbrojtjes, Artis Pabriks, i përmblodhi me ketë pyetje shqetësimet e aleatëve: “Ne jemi të gatshëm të vdesim për lirinë. Po ju gjermanët?” Gjermanët mund ta shijojnë gjumin e tyre. Por vendi i tyre po i lë ende pa gjumë të tjerët.
Edward Lucas, anëtar i Qendrës për Analizën e Politikave Europiane (CEPA), dhe ish-kandidat për deputet në parlamentin britanik nga radhët e Liberal Demokratëve.