Avokati Tomë Gashi thotë se gjyqi në Hagë për ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pritet të zgjasë 4 vite.
Në një intervistë për Euronews Albania, Gashi u shpreh se gjyqet në tribunale të tilla si Gjykata Speciale në Hagë, janë të stërzgjatura, të mundimshme dhe të dhimbshme.
Sipas tij, edhe pse konferenca e ardhme për ta është caktuar 21 marsi i këtij viti, data mund të ndryshojë sërish.
“Kjo datë, edhe pse është thënë se do të jetë 21 marsi i këtij viti, nuk do të thotë që në konferencën e ardhshme statutore apo përgatitore, nuk mund të ndryshojnë gjërat. Ne kemi pasur ditën e djeshme një përballje mes prokurorisë dhe mbrojtjes të gjithë të akuzuarve, ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe të gjithë palët kanë kërkuar kohë shtesë, se më parë thuhej që gjykimi mund të fillojë me 1 mars të këtij viti.
Tani, që po vijmë afër fillimit së gjykimit dhe datat nuk janë të rëndësishme nëse ato ndryshojnë për 1 javë apo pak më tepër. Kemi hyrë në vitin e tretë dhe unë më herët kur thoja se gjykimet në tribunale të tilla, në Gjykata Speciale që janë gjykata ndërkombëtare, janë të stërzgjatura, të mundimshme dhe të dhimbshme. Tani jemi në vitin e tretë, ende nuk ka filluar asgjë. Unë iu garantoj që gjykimi do të zgjasë përafërsisht rreth 4 vite, pak më tepër”, theksoi ai.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj tyre, ku pretendohet se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.