Regjimet që varen nga mbështetja ruse do të bëhen më nervoze. Sundimtari despotik i Bjellorusisë, Alexander Llukashenko, është ngjitur në pushtet kryesisht falë mbështetjes së Putinit. Në këmbim, ai lejoi që territori bjellorus të përdorej si pikënisje për sulmin ushtarak rus në Kiev, kryeqytetin e Ukrainës, i cili dështoi në mënyrë të trishtë. Lukashenko është i etur që të mos zhytet më thellë në luftë, e cila është jashtëzakonisht e papëlqyeshme për bjellorusët dhe e intensifikon përbuzjen që ata ndjejnë për presidentin e tyre manipulues të zgjedhjeve. Por Putini do të vazhdojë ta nxisë atë edhe më tej.
Në Afrikë, grupi mercenar Wagner, i udhëhequr nga një mik i Putinit, e mbështet qeveritë autokratike në Republikën e Afrikës Qendrore dhe Mali dhe mbështet një komandant lufte në Libi. Këto operacione ndoshta janë të vetëfinancuara përmes marrëveshjeve të errëta të mineraleve. Por disa nga banditët e Wagner-it janë ftuar të luftojnë në Ukrainë. Nëse operacionet e saj afrikane humbasin ndonjëherë mbështetjen e heshtur të shtetit rus, ai do të luftojë për t’i mbajtur klientët e tij në pushtet.
Prodhuesit e energjisë do ta shohin fuqinë e tyre diplomatike të rritur për aq kohë sa lufta i prish tregjet e energjisë. Arabia Saudite do të ndiejë pak presion real për t’i përmirësuar të dhënat e saj të të drejtave të njeriut ose për ta diversifikuar ekonominë e saj. Furnizuesit e alternativave ndaj gazit rus do të lulëzojnë. Evropa po derdh para për Katarin, një eksportues i madh i gazit natyror të lëngshëm, LNG. Egjipti, i cili dikur grindej me Katarin për mbështetjen e tij për islamikët, tani është qetësuar në raport me të me shpresën e mbështetjes financiare.
Gurgullimet politike nga çmimet e larta të ushqimeve dhe energjisë do të vazhdojnë edhe më tej. Këto çmime tashmë kanë kontribuar në protesta dhe trazira në shumë vende, dhe në përmbysjen e presidentit të Sri Lankës. Edhe nëse çmimet e ushqimeve zbuten disi në vitin 2023, pritet të ndodhin trazira në vende të tilla si Pakistani dhe Tunizia, ku njerëzit i fajësojnë qeveritë jopopullore për pjatat bosh. Problemet janë edhe më të mundshme në vendet ku politikat e dobëta ekonomike e kanë përkeqësuar dëmin dhe zgjedhjet e vështira janë planifikuar për në vitin 2023, të tilla si Nigeria dhe Turqia.
Turqia është një rast i pazakontë. Diplomatikisht, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, shpreson të përfitojë nga lufta në Ukrainë, pavarësisht se si do të zhvillohet. Nëse Putini humb dhe Rusia dobësohet seriozisht, mund të hapet një vakum pushteti në vendet për të cilat Turqia interesohet, të tilla si Siria dhe Kaukazi jugor. Nëse mbështetja ruse për Armeninë lëkundet, Erdogan do ta intensifikojë mbështetjen e tij për Azerbajxhanin, i cili ka luftuar me Armeninë për territor.
Nëse lufta në Ukrainë tejzgjatet, Erdogan do të vazhdojë të luajë me të dyja palët. Ai do të presë shpërblime nga Moska, siç janë gazi i lirë, për mirëpritjen e parave dhe turistëve rusë. Ai gjithashtu do t’i shesë më shumë armë Ukrainës dhe do të kërkojë kredi nga Perëndimi për ndalimin e hyrjes së anijeve luftarake ruse në Detin e Zi. Dhe nëse Erdogan i humb zgjedhjet në qershor, pasardhësi i tij ndoshta do të ketë një qasje të ngjashme me politikën e jashtme.
Në përgjithësi, poshtërimi i Putinit në Ukrainë do t’i bëjë autokratët kudo që janë të kujdesshëm për fillimin e luftërave pushtuese – dhe dyfish nëse humbja rezulton me rënien e tij. Po aq e rëndësishme, është pra, që mbështetësit e Ukrainës ta dyfishojnë mbështetjen e tyre. Agresioni nuk duhet të triumfojë dhe duhet parë se nuk triumfon. Bota do të jetë më paqësore në planin afatgjatë nëse Putini mposhtet.
Burimi: The Economist