Uebsajtet e administratave kryesore gjermane, duke përfshirë kompanitë dhe aeroportet, janë shënjestruar nga sulmet kibernetike, tha Agjencia Federale e Sigurisë Kibernetike. BSI është informuar për “sulmet DDoS (me refuzim të shërbimit) aktualisht në progres kundër objektivave në Gjermani”, tha një zëdhënës.
Pas sulmit mund të qëndrojnë hakerat rusë Killnet, sipas BSI. Grupi mediatik Handelsblatt raportoi se sulmet ishin një hakmarrje ndaj Berlinit që miratoi dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë. Megjithatë, zëdhënësi shtoi se identifikimi i qartë se nga vjen një sulm si ky është e vështirë.
Hakerët “bëjnë thirrje specifike për veprim dhe më pas marrin pjesë shumë njerëz”, por “është e vështirë të provosh se autorësia mund t’u atribuohet atyre”, shtoi ai. “Disa faqe janë aktualisht të padisponueshme,” konfirmoi zëdhënësi i BSI për AFP, pasi mediat gjermane raportuan ngjarjen.
“Aktualisht nuk ka asnjë indikacion për pasoja të drejtpërdrejta në shërbimet në fjalë dhe, sipas vlerësimit të BSI, nuk duhet të priten pasoja nëse merren masat e zakonshme mbrojtëse”. Faqja e internetit e policisë rajonale të Baden-Württemberg ishte gjithashtu në shënjestër.
Gjermania është shënjestruar disa herë në vitet e fundit nga sulmet kibernetike ruse, duke përfshirë një në 2015 që përfshinte Bundestagun, dhomën e ulët të parlamentit gjerman dhe zyrën e ish-kancelares Angela Merkel.