MENU
klinika

A ndihmon për pastrimin e imazhit të Italisë?

I fundit i bosëve në moshë, pse u arrestua Messina Denaro tani

24.01.2023 - 11:39

Gjatë fushatës zgjedhore parlamentare në vitin 2022 në Itali, nuk luajti ndonjë rol lufta kundër krimit të organizuar. A ndihmon arrestimi i Messina Denaros së fundmi nga Cosa Nostra për pastrimin e imazhit të Italisë?

30 vjet janë një kohë e gjatë, nëse duhet t’i kalosh në ilegalitet, si një nga kriminelët më të kërkuar. E kur zbulohesh e arrestohesh se do të shkosh për vizitë në një klinikë kundër kancerit, sigurisht që duhet të zemërohesh – pikërisht kjo i ndodhi Matteo Messina Denaro, bosit të fundit të njohur të Cosa Nostras, që u arrestua së fundmi.

Sipas raportimeve, Messina Denaro priste për një vizitë tek mjeku, kur një polic i kërkoi të identifikohej. Policia e dinte, krimineli do të ishte aty. Pasquale Angelosanto, nga njësia speciale i tha shtypit, se “pritej dita, kur ai do të dilte të shkonte për trajtim.”

Zërat se Messina Denaro ishte i sëmurë, kishin kohë që qarkullonin. Hetuesit filluan të kërkonin të dhënat shëndetësore që sipas të dhënave ngjante me bosin e mafias. Suksesi i dedikohet hetuesve të specializuar për luftën kundër mafias, thotë Felia Allum, profesore në Universitetin Bath, studiuese e kriminalitetit të organizuar.

“Kjo është gjë e mirë për Giorgia Melonin, që mund të shkojë në Palermo dhe të mbledhë dafinat, por niveli politik dhe vullneti politik nuk kanë të bëjnë aspak me punën e vështirë të hetuesve.”

Lufta e Cosa Nostras kundër shtetit
Pas arrestimit, Meloni shkroi në twitter se bëhet fjalë për një fitore të jashtëzakonshme të shtetit. Me këtë ajo iu referua asaj pjesë të historisë së mafias, kur Cosa Nostra zhvillonte një fushatë terrori kundër shtetit italian. Në kohën kur në Gjermani ra Muri i Berlinit, filloi tronditja e sistemit politik italian, sepse parti të protestës brenda vendit dhe BE ushtruan presion ndaj qeverisë në Romë. Falë ujdive me politikanë, mafia shpesh i kishte shpëtuar ndjekjes ligjore, e kur politika nuk mund më të bënte ujdi të tilla, Cosa Nostra filloi të hakmerrej në fillim të viteve 90-të. Provat për ujdi me politikën u bënë të njohura gjatë proceseve të ndryshme gjyqësore.

Antonio Balsamo, presidenti i Gjykatës së Palermos theksoi pas arrestimit të bosit të Cosa Nostras, se ai ka qenë figurë kryesore në kohën e “strategjisë së terrorit kundër shtetit”, sidomos në vitet 1992, 1993. Cosa Nostra atë kohë kreu një seri atentatesh të rënda, ekzekutime dhe shpërthime bombash. Ajo ishte përgjegjëse për vrasjen e politikanit Salvo Lima, dy prokurorëve, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, dhe vuri bomba në sheshe publike në Milano. “Njerëzit flasin për fundin e një epoke. Por Messina Denaro e ndryshoi mafian. Cosa Nostra e tij u bë më e fshehtë, më e maskuar, ajo gati u zhduk, sepse ai e kuptoi, që mund të bëje më mirë para, kur ishe i padukshëm”, shpjegon studiuesja Felia Allum.

“Nëse i vret njerëzit me mizori, si e bënte mafia dikur, tërheq vëmendjen e policisë. Por kur zhdukesh, mund të punosh me përkrahës dhe ndërmjetës që t’i lajnë paratë dhe kështu mund të bësh ujdi.”

Messina Denaro është bosi i fundit i njohur i Cosa Nostras. Ekspertët janë të mendimit, se mafia në Itali dhe krimi i organizuar në Itali e Europë nuk është më si para 30 vjetësh. Shumë bosë kanë ardhur e ikur, dhe mos rënia në sy e Cosa Nostras tregon se arrestimi i Messina Denaros nuk është aq i parëndësishëm si paraqitet.

I fundit i bosëve në moshë
Italianët nuk i kanë harruar krimet e së shkuarës. “Ka viktima nga kjo kohë që duhet të marrin drejtësi”, thotë Anna Sergi, profesore e kriminologjisë nga Universitetin Essex në Britaninë e Madhe. “Emri i Matteo Messina Denaros do të mbetet në kujtesë. Ai është i fundit i stilit të vjetër të Cosa Nostras, ku çdo gjë varej nga ai.” Dikur bosi ishte “superstar”, thotë Sergi. Por “kjo nuk ndodh më, dhe nuk do të ndodhë më. Ata e kanë marrë mësimin dhe janë në ilegalitet. Në nivelin administrativ, Messina Denaro nuk luante më ndonjë rol. Sepse çdo familje në qytet e fshat ndoqi rrugën e vet, Ata operojnë tani në nivel lokal.” Sipas Sergi ka disa familje që janë të përfshira në tregtinë e drogës, por jo në futjen e saj. Ajo është në duart e

‘Ndranghetas apo Camorras në pjesë të tjera të Italisë. Cosa Nostra siciliane nuk e ka këtë rrezatim ndërkombëtar.

Arrestimi i Messina Denaros mund të ketë efekte jashtë Italisë dhe t’i hapë telashe drejtësisë dhe qeverisë italiane. “Messina Denaro kishte shumë para dhe investonte në shkallë ndërkombëtare. Ai krijoi një rrjet përkrahësish në Itali dhe Europë që lanin paratë e tij. Dhe ky rrjet do të përdoret me siguri nga anëtarë të tjerë të Cosa Nostras.”

Pse u arrestua Messina Denaro tani?
Mbetet pyetja “pse pikërisht tani?” Hetuesit duket se e dinin, se Messina Denaro jetonte në afërsi të qytetit të tij të lindjes, Trapani, në Siçili dhe se në Palermo ishte në trajtim mjekësor. Pse goditën hetuesit pikërisht tani, tre muaj pasi italianët zgjodhën një qeveri të ekstremit të djathtë, me Melonin në krye.

Tek kjo qeveri bën pjesë edhe partia e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, të cilit i janë përmendur lidhjet me mafian.

A presin hetuesit nga Messina Denaro të zbulojë përmasat e rrjetit të fshehtë të Cosa Nostras?

“Meloni është e duruar. Nëse Berlusconi pret garanci që të mbrohet nga lidhjet me mafian, atëherë ajo me shumë gjasa nuk do t’ia japë këtë. Për këtë ajo nuk ka interes”, shprehet Ernesto Savona, drejtues i Transcrime, një qendre studimore në Milano.

Savona thekson, se Italia duhet të mbrojë ekonominë “e drejtë ligjore” dhe të pengojë që ajo “të infiltrohet” nga ekonomia kriminale.

Për të ardhmen e mirëqenies së vendit duhen miliardat e fondit të rimëkëmbjes të BE.

“Ata kanë frikë, se një pjesë e këtyre fondeve rrjedhin në xhepat e organizatave kriminale dhe forcojnë korrupsionin”, shpjegon Savona. “Mes krimit të organizuar dhe korrupsionit ka lidhje të ngushta sot. Ata janë ngjitësi që bashkon avokatët, administratorët, politikanët dhe kriminelët.”

Giorgia Meloni ka interes të prezantojë imazhin e një Italie të pastër nga korrupsioni. “Meloni nuk duhet të harrojë që ka njerëz në partinë e saj që mund të kenë lidhje me krimin e organizuar, si shumë të tjerë mes partive”, paralajmëron Savona duke lënë të kuptohet, se në vend janë normale veprimet kriminale, përfshirë edhe blerjen e votave në zgjedhje. “Bën pjesë tek ky biznes”, thotë Savona.

“Tregtia me influencën”. Dhe mafia italiane ka pasur gjithmonë influencë. /DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Jeta në arrati e bosit të mafies

Shuhet miti i “kumbarit të fuqishëm”!

Bunker i blinduar në pjesën e pasme të gardërobës

Zbulohet streha e dytë e mafiozit italian!

Matteo Messina Denaro, 30 vite në arrati

Arrestohet në një klinikë private bosi i mafies siçiliane


“Hap dyert misioni diplomatik në Bruksel”

Apeli i kryeministrit Rama: Bëhuni pjesë e “TeamAlbania”!

"Të vijë në debat televiziv..."

Sali Berisha sfidon kryeministrin Rama pas lirimit

"Seanca parapake për gjykimin në themel të çështjes vazhdon"

GJKKO la të lirë Berishën, reagon SPAK: Do ta ankimojmë vendimin!

"Krijo qeveri teknike, mos e zvarrit kot"

U la i lirë, Sali Berisha mesazh Edi Ramës nga selia blu