Gianluca Vialli nuk ia doli dot të fitonte betejën me sëmundjen e keqe në pankreas, nga e cila vuante prej vitit 2017.
Ish-sulmuesi ikonik italian ndërroi jetë në moshën në një klinikë në Londër, vend ku jetonte prej kohësh dhe ku verën e një viti më parë fitoi Euro 2020 bashkë me Roberto Mancinin, “binjakun” e golit. Ishte 58 vjeç kur mbylli sytë për herë të fundit.
Vialli ishte protagonist në titullin e parë dhe të vetëm të fituar nga Sampdoria (1991), udhëhoqi Juventusin si kapiten në triumfin e fundit në Champion (1996), ndërkohë që fitoi trofe edhe te Chelsea, klub ku gjatë një periudhe gjashtë mujore ishte trajner dhe futbollist në të njëjtën kohë.
Giuseppe Dossena, ish-mesfushori i Sampdorias që fitoi Serie A dhe sezonin pasardhës mbërriti deri në finalen e Champions League, ka komentuar vdekjen e mikut të qindra betejave.
“Ishte diçka që për fat të keq e dinim. Kur prezantuam filmin për Sampdorian, ai ndjente dhimbje të mëdha. Gianluca erdhi nga Londra duke e ditur se do të ishte hera e fundit që do na shihte bashkë…
Ai bëri një sakrificë të madhe për të na parë, por në sytë e tij dallohej që e kishte kuptuar që së shpejti do të largohej prej nesh. Ishte një akt i pastër dashurie.
Qëndronte ulur në një cep dhe na vështronte. E dalloi që ne kishim kuptuar gjithçka. Mezi qëndronte në këmbë, nuk ecte dot prej dhimbjeve. Gianluca ishte një person i jashtëzakonshëm.
Ishte tip unifikues, angazhues, ironik dhe shembull për të gjithë. Jam i sigurt që vajzat do të rriten me shembullin e tij”, deklaroi Dossena, i cili drejtoi kombëtaren shqiptare për një periudhë 3 mujore në vitin 2002.