Vllaznia do të luajë në transfertë kundër Erzenit në kuadër të javës së 19-të të Superiores sot në orën 19:00 në Durrës. Trajneri Mirel Josa ka zhvilluar edhe dje seancën e fundit stërvitore, ndërsa nga ajo që u pa, Bekim Balaj me shumë mundësi pritet të jetë titullar.
Për sulmuesin kjo do të jetë hera e parë që e nis nga fillimi, edhe pse mbetet për t’u parë nëse Josa është bindur plotësisht.
Lajmi i mirë për trajnerin është rikthimi në stërvitje i Liridon Latifit, i cili është bashkuar me grupin duke marrë ngarkesën e duhur për përballjen ndaj shijakasve.
Mirëpo, duket se përveç Darko Bulatoviç dhe Lorik Boshnjakut, që stërviten, por nuk do të jenë gati as për këtë ndeshje, ai që po shqetëson Josën është Esat Mala.
Mesfushori ka probleme fizike dhe nuk dihet nëse mund të jetë apo jo nga minuta e parë. I vetmi që mungoi ditën e djeshme në stërvitje ishte kroati Marko Juriç.
Qendërmbrojtësi kroat pësoi një dëmtim gjatë nxehmjes muskulore para takimit me Bylisin dhe pritet të jetë jashtë fushave edhe të paktën dy javë.
Bëhet fjalë për një tërheqje muskulore në pjesën e prapme të kofshës. Duke qenë se edhe Bulatoviç ende nuk është gati, mbrojtja u kthehet sërish problemeve.