Merkato e janarit ka nisur dhe klubet në të gjithë Europën po bëhen gati të bëjnë lëvizjet e tyre për të përmirësuar ekipet përkatëse. Por ndërkohë, ka prej atyre që duhet më parë të korrigjojnë gabimet që kanë bërë gjatë verës, ose të cilat shpresojnë që zhgënjimet e merkatos së verës, të ndërrojnë kurs në pjesën e dytë të sezonit, duke u kthyer në blerjet më të mira.
Shembulli konkret në Itali i përket klubeve të mëdha, shumica nga të cilat kanë bërë lëvizje që kanë rezultuar të gabuara për një arsye apo një tjetër, pasi lojtarët nuk kanë dhënë atë që pritej prej tyre në vitin 2022.
“La Gazzetta Dello Sport” ka përpiluar një listë me blerjet më të dështuara dhe aty spikatin kryesisht futbollistët e klubeve më në emër të Serisë A, që nuk kanë goditur në shenjë me blerjet e bujshme, sidomos për shkak të dëmtimeve apo formës së dobët që kanë shfaqur.
Top 10 e dështimeve të merkatos 2022.
10 – Milan Djuriç (Salernitana) – Me 0 gola të shënuar në 295 minuta, mund të largohet në merkaton e janarit.
9- Andrea Beloti (Roma) – U transferua me parametër zero por pritej diçka më shumë se 0 gola në 12 ndeshje me verdhekuqtë në kampionat.
8- Markos Antonio (Lacio) – Lacialët shpenzuan 10 milionë euro për kartonin e tij, por ai u kthye në një lojtar stoli duke i bërë vend Kataldit në rreshtim.
7 – Leandro Paredes (Juventus) – Në Botëror u pa një mesfushor i gatshëm të luftonte në çdo cep të fushës por me bardhezinjtë është kopja e shëmtuar e këtij lojtari. Nuk ka luajtur as 700 minuta me fanellën bardhezi, për herë të fundit titullar më 18 shtator.
6 – Alesio Kranjo (Monza) – Duhej të ishte titullari i kësaj skuadre në Serinë A, por ka luajtur deri tani vetëm dy ndeshje me rezultate zhgënjyese.
5 – Divok Origi (Milan) – Mendohej se ishte goditja e madhe e Milanit me parametër zero por nuk ka dhënë asgjë nga ajo që pritej prej tij. 14 ndeshje, 502 minuta dhe vetë 1 gol janë shumë pak për një sulmues të tillë.
4 – Sharl De Ketelar (Milan) – Cilido prej tifozëve të Milanit e pranon se blerja e madhe e merkatos së verës, për rreth 35 milionë euro, është dështimi më i madh deri tani. 0 gola e 1 asist janë shumë pak për djaloshin e afruar me shuam bujë e krahasuar shpesh me Kaka.
3 – Zheremi Boga (Atalanta) – Një vit më parë bergamaskët e morën nga Sasuolo si goditjen e madhe që do i ndihmonte në hapin cilësor në kampionat. Por 21 ndeshje e 0 gola tregojnë të kundërtën, me klubin që ka vështirësi për ta shitur tashmë.
2 – Romelu Lukaku (Inter) – Ka luajtur 5 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola. Ky është bilanci i Lukakut i cili është transferuar përsëri në Milano për një shumë që mund të arrijë në 13 milionë euro këtë sezon, shumë pak për një lojtar të tillë që ka si synim që kthimin te zikaltërit ta bëjë përfundimtar.
1-Pol Pogba (Juventus) – Juventusi e paguan 8 milionë euro neto plus 2 milionë euro bonus, por nuk e ka parë ende në fushën e lojës që në verë. Me keq se kaq, vështirë se mund të bëhet.