Juventusi është në mes të një deti me dallgë dhe nuk dihet nëse përplasjet do të shtohen dhe se si do të përfundojnë historitë me çështjen e plusvalencave dhe të fshehjes së pagave të periudhës COVID.
Gjithsesi, për të shtuar disi optimizmin në mes së resë së zezë që ka mbuluar “Kontinasa”-n është bërë një studim i fundit, i cili thekson se bardhezinjtë janë klubi që ka mundur të fitojë më shumë se kushdo tjetër brenda kufijve të kampionatit që përfaqëson, që nga hera e fundit që ata triumfuan në Ligën e Kampioneve (1996). Nëse deri më sot numri i trofeve që bardhezinjtë kanë ekspozuar në muzeun e tyre brenda “Allianz Stadium”, vetëm në arenën italiane është 62, pjesa tjetër kanë një peshë fantastike. Madje, Juventusi është gjithashtu i vetmi klub në Itali që ka fituar edhe çdo trofe të çdo kompeticioni të mundshëm europian e ndërkombëtar që është zhvilluar nga UEFA e FIFA. Gjithsesi, duke mbetur te shifra 62 në Itali, ato ndahen në: 36 kampionate (pa harruar dy tituj të anuluar pas skandalit “Calciopoli”), 14 Kupa dhe 9 Superkupa, të cilëve u shtohen edhe trofetë e tjerë “me pak rëndësi” si titulli i kampionatit federal i Kategorisë së Parë në vitin 1908, kampionati italian i Kategorisë së Parë në 1909 dhe titulli i Serisë B në 2007-ën.
Por faktet thonë se 26 nga 62 trofetë kombëtarë në total, e thënë ndryshe 42 për qind e tyre, janë fituar nga bardhezinjtë vetëm në 26 vitet e fundit, siç nuk ka mundur asnjë klub tjetër i kontinentit të vjetër brenda territorit të tij. Madje, shifra bëhet edhe më e frikshme nëse llogarisim vetëm dekadën e fundit, kur mes 30 trofeve të mundshëm në dispozicion (10 kampionate, 10 finale Kupe dhe 10 Superkupe), bardhezinjtë kanë marrë në shtëpi 17 prej tyre (57 për qind të totalit). Në të njëjtën kohë, Juventusi është skuadra që ka vendosur rekordin duke fituar për katër sezone me radhë çiftin “titull kampion-Kupë Italie”, madje këtë dyshe trofesh e kanë përsëritur 6 herë, si askush tjetër. Dhe pse jo, tani shpresohet që mes këtyre kujtimeve të bukura, Juventusi të mundet të dalë sa më shpejt dhe me sa më pak dëme nga dy çështjet ku po noton frikshëm dhe të nisë të përsërisë triumfe.