Princi Harry ka zbuluar se ka eliminuar 25 talebanë në një mision në Afganistan, teksa shërbente në ushtrinë britanike.
Në librin e tij autobiografik, Duka i Sussex ka zbuluar se ai fluturoi në gjashtë misione me helikopter Apache, ku ka marrë edhe jetë njerëzish, ngjarje për të cilën thekson se nuk ndjehet krenar, por se nuk ka asnjë arsye që të ndjehet i turpëruar.
Mediat britanike raportojnë se Harry ka deklaruar se në fakt nuk i ka menduar viktimat si njerëz që po vriten, por si gurë shahu që duhen eliminuar.
Kjo është hera e parë që Princi, 38 vjeç, ka diskutuar për numrin e luftëtarëve talebanë që vrau gjatë shërbimit të tij ushtarak dhe kjo ka rritur shqetësimin për sigurinë e tij personale.
Princi është konsideruar prej kohësh si një objektiv terrorist jo vetëm për shkak të statusit të tij mbretëror, por edhe për shkak të misioneve të tij në Afganistan, të cilat e kanë bërë atë një objektiv të grupeve terroriste islamike.
Vitin e kaluar ai ndërmori veprime ligjore lidhur me vendimin e Ministrisë së Brendshme për të mos siguruar mbrojtje të plotë policore për të dhe familjen e tij kur vizitonte Britania.
Avokati i tij tha se ai “nuk ndihet i sigurt” kur është në Britani, pas heqjes së privilegjeve kur la detyrën mbretërore.
Princi Harry ka zbuluar se pas kthimit në shtëpi nga misionet ka parë videot e vrasjeve, të regjistruara nga kamera e vënë në helikopter.
Ai ka zbuluar se në rrëmujën e luftimeve, i shihte kryengritësit si njerëz të këqinj që duheshin eliminuar më parë se të eliminonin persona të tjerë.
“Që nga dita e parë e bëra qëllimin tim që të mos shkoja kurrë në shtrat me asnjë dyshim nëse kisha bërë gjënë e duhur… nëse kisha qëlluar kundër talebanëve dhe vetëm talebanëve, pa civilë në afërsi. Doja të kthehesha në Britaninë e Madhe me të gjitha gjymtyrët e mia, por më shumë se kaq doja të kthehesha në shtëpi me ndërgjegjen time të paprekur”, tha Harry.
Ai thotë se në luftë, ushtarët zakonisht nuk e dinë se sa armiq kanë vrarë, por “në epokën e Apache-ve dhe laptopëve” ka mundur të zbulojë me saktësi sa luftëtarë armik ka vrarë.
“Më dukej thelbësore të mos kisha frikë nga ai numër. Pra, numri im është 25. Nuk është një numër që më mbush me kënaqësi, por as nuk më vë në siklet”, deklaroi princi.
Autobiografia e tij pritet të publikohet më 10 janar, por ka dalë tashmë në shitje në Spanjë.