Dibran Hoxha, i njohur me nofkën “Kobra”, ka folur për herë të parë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme në lokalin e tij në Prizren, ku mbeti të vdekur një 31-vjeçar nga Kukësi, Visart Cengu dhe u plagos shoku i tij.
Si i akuzuari kryesor për ngjarjen e rëndë, “Kobra” tha para trupit gjykues se vëllai i tij, Enver Amrallahu, nuk kishte qenë në vendin e ngjarjes gjatë konfliktit, por sipas tij, kishte shkuar pasi kishte ndodhur krimi.
“Pajtohem me fjalët e avokatit, veç deshta me shtu diçka në lidhje me Enver Amrallahun, ky është vëllau prej nanës. Ky ka ardhë masi ka ndodhë, masi ka ni prej tjerëve që ka ndodh diçka në lokal, ka ardhë masi me policinë mrapa krejt kur janë marrë deklaratat krejt, kanë ardhë e kanë nxanë aty si vlla”, tha i dyshuari Hoxha.
Hoxha tha se Armallahu ka ardhur pasi kishte marrë informacione lidhur me konfliktin e ndodhur në lokalin “Kobra City”.
Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, ndërsa gjykata ka vendosur t’i lërë të arrestuarit në burg.
“Më dt 03.01.2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxha, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.