Kosova ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar vendin tonë, që një ditë më parë u trondit nga një tërmet me magnitudë 4.7 ballë.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës ka telefonuar homologun shqiptar, Niko Peleshi duke i shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar me kapacitetet që ka forca operacionale e FSK.
“Nga autoriteti im zyrtar dhe përgjegjësia vëllazërore, i shpreha gatishmërinë e plotë dhe të menjëhershme për mbështetje në reagim me të gjitha kapacitetet tona specialistike operacionale të FSK-së.
Përveç mirënjohjes vëllazërore, Ministri Peleshi më gëzoi me informacionin se aktualisht gjendja është nën menaxhim dhe kontroll të strukturave të Mbrojtjes Civile të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkisë së Klosit.
Së bashku me Ministrin Peleshi do të jemi në komunikim intenziv, si gjithmonë, për monitorim të situatës në vazhdim.
Në të mirë e në vështirësi jemi bashkë si gjithmonë”, thuhet në reagimin e ministrit të Kosovës.