MENU
klinika

"Në Serbi nuk ndahen dot nga e shkuara e mallkuar"

Lulzim Basha flet në Këshillin e Evropës, bën thirrje për njohjen e Kosovës

25.01.2023 - 18:04

Politikani demokrat Lulzim Basha, ka marrë pjesë sot në punimet e Këshillit të Evropës, ku ka folur për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Gjatë fjalës së tij, Basha ka kërkuar nga vendet e BE që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta ndërmarrin një hap të tillë.

“Fatkeqësisht, siç tregojnë ngjarjet e fundit, edhe sot disa ende mendojnë se retorika nacionaliste do t’i ndihmojë ata ta mbajnë pushtetin përjetësisht. Të tjerë e kanë të vështirë të ndahen nga e kaluara e përgjakshme. Megjithatë, këto dilema nuk mund të mbajnë peng të ardhmen e rajonit. Ata nuk duhet të mbajnë peng të ardhmen evropiane të Serbisë.

Politikani Lulzim Basha ne Keshillin e Evropes

Nëse përfaqësuesit e Serbisë sot këtu janë të shqetësuar për të drejtat e minoritetit serb të Kosovës, atëherë le t’i bashkojmë përpjekjet së bashku dhe ta mirëpresim Kosovën si anëtare të Këshillit të Evropës, duke lejuar mbrojtjen e plotë të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave që ofron ky institucion i nderuar për të gjithë anëtarët e saj.

Kam një thirrje edhe për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën. 15 vjet pas pavarësisë së saj dhe një vit pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, është koha për të vënë të parën paqen dhe stabilitetin, paqen dhe stabilitetin tonë, paqen dhe stabilitetin e Evropës”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij Lulzim Basha.

Lulzim Basha në Këshillin e Europës

Falemnderit, zonja Kryetare,

Dëshiroj të falënderoj edhe kolegun e nderuar, zotin Howell, për këtë debat, vetëm katër javë para 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, shtetit më të ri në kontinentin tonë të vjetër.

Si përfaqësues i Shqipërisë, dëshiroj të shfrytëzoj rastin për të shprehur mirënjohjen tonë për të gjitha përpjekjet e bëra nga Bashkimi Evropian, Shtetet Anëtare dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe përkushtimin e tyre të fuqishëm drejt arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Te dashur kolegë,

Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm në zemër të Evropës. Sa më shpejt që ky realitet të përqafohet nga të gjithë, duke përfshirë edhe Serbinë, aq më mirë do të jetë, para së gjithash, për qytetarët e Kosovës, si serbë ashtu edhe shqiptarë, aq më mirë do të jetë për të ardhmen e gjithë rajonit tonë, për të përqëndruar përpjekjet dhe vizionin tonë për të siguruar një jetë më të mirë për të rinjtë tanë në vendet tona.

Fatkeqësisht, siç tregojnë ngjarjet e fundit, edhe sot disa ende mendojnë se retorika nacionaliste do t’i ndihmojë ata ta mbajnë pushtetin përjetësisht. Të tjerë e kanë të vështirë të ndahen nga e kaluara e përgjakshme. Megjithatë, këto dilema nuk mund të mbajnë peng të ardhmen e rajonit. Ata nuk duhet të mbajnë peng të ardhmen evropiane të Serbisë.

Nëse përfaqësuesit e Serbisë sot këtu janë të shqetësuar për të drejtat e minoritetit serb të Kosovës, atëherë le t’i bashkojmë përpjekjet së bashku dhe ta mirëpresim Kosovën si anëtare të Këshillit të Evropës, duke lejuar mbrojtjen e plotë të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave që ofron ky institucion i nderuar për të gjithë anëtarët e saj.

Kam një thirrje edhe për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën. 15 vjet pas pavarësisë së saj dhe një vit pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, është koha për të vënë të parën paqen dhe stabilitetin, paqen dhe stabilitetin tonë, paqen dhe stabilitetin e Evropës.

Kosova, është një rast “sui generis”, dhe do të ishte gabim i rëndë për çdo vend që të hiqte paralele me situata të tjera. Ajo që po ndodh sot në Ukrainë është një kambanë që bie për secilin prej nesh për të parë përtej interesave të sotme.

Një Ballkan Perëndimor në NATO, një Ballkan Perëndimor në BE do të thotë një Evropë më e fortë, më e sigurt dhe më e begatë.

Më lejoni të përfundoj, zonja Kryetare, duke i uruar sot Presidentit Zelensky: Gëzuar Ditëlindjen, duke i uruar fuqi dhe mbarësi, dhe duke e falënderuar për udhëheqjen e tij. Slava Ukraini!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN