MENU
klinika

“Dita më e ngarkuar që nga fillimi i këtij viti”

Mbi 300 persona kaluan La Manshin për në Angli

23.01.2023 - 14:11

Shqiptarët duket se nuk kanë ndërmend të ndalojnë, por me çdo kusht, duke rrezikuar edhe jetën, kërkojnë të futen në Angli.

Pavarësisht masave drastike që ka ndërmarrë qeveria britanike, Policia e vendit të tyre dhe ajo franceze, shqiptarët bashkë me emigrantët e tjerë që vijnë nga vendet e konfliktit vijojnë të synojnë kalimin në La Mansh. Sipas të dhënave më të fundit të mediave vendase saktësohet se një gomone, që për ta konsiderohen anije të vogla, ka mbërritur edhe me 2 janar në Dover, ndërkohë që ditën e shtunë kanë hyrë në të njëjtat brigje të paktën 6 mjete lundruese. Nga të dhënat behët me dije se të paktën 300 emigrantë mbërritën duke rikthyer edhe njëherë jo vetëm vëmendjen, por mbase edhe betejën ndaj emigrantëve që janë nga Shqipëria.

MEDIAT BRITANIKE

Të paktën 300 persona kanë kaluar Kanalin Anglez me 8 varka të vogla, duke e bërë 22 janarin ditën më të ngarkuar të kalimeve të paligjshme të emigrantëve për këtë vit. Një burim i “GB News” tha se disa varka të tjera të vogla raportohet se janë nisur këtë mëngjes, por nuk kanë arritur ende në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar. Moti i keq ka penguar kryesisht anijet e vogla të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm për më shumë se një muaj.

Një ndërprerje e motit të keq të shtunën vonë i lejoi bandat kriminale të kontrabandës së njerëzve në Francë të nisnin të largonin varkat e vogla nga plazhet. Varkat ishin nën monitorimin e anijeve të marinës franceze, të cilat nuk ndërhyjnë kur gomonet futen në ujë. Autoritetet franceze ndërhyjnë vetëm nëse varkat e vogla hasin në vështirësi përpara se të arrijnë në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar.

Anija Vullnetare e Forcave Kufitare mori grupin e parë prej rreth 40 personash në qendrën e përpunimit në Dover, duke mbërritur pak pas orës 1 të mëngjesit. Ata ishin emigrantët e parë që kaluan Kanalin që nga e marta e kaluar, kur 106 persona u morën nga dy varka të vogla në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar. Arritjet e fundit para kësaj ishin më 2 janar, kur 44 emigrantë kaluan me një varkë të vogël, pavarësisht kushteve të këqija atmosferike. Autoritetet janë të përgatitura për mundësinë që mijëra njerëz mund të tentojnë kalimin në ditët në vijim, pasi moti i qetë pritet të zgjasë deri të mërkurën.

GREQIA

Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Takis Theodorikakos, u tregoi 27 ambasadorëve të shteteve të BE në Greqi si dhe të dërguarve të Zvicrës dhe Britanisë, gardhin ende në zgjerim në kufirin me Turqinë pranë lumit Evro, që aktualisht shtrihet në mbi 27 kilometra dhe ndihmon në mbulimin e 10 km të tjerë. Gjithashtu ai i informoi se autoritetet greke kanë parandaluar vetëm gjatë vitit të kaluar rreth 260 mijë emigrantë të huaj të hynin ilegalisht nga Turqia, ndërsa kanë arrestuar edhe 1500 trafikantë të qenieve njerëzore. Në një moment tensioni të vazhdueshëm me Ankaranë ai i ka çuar përsëri një mesazh të zbatimit të së drejtës ndërkombëtare, që sipas tij pala turke duhet ta marrë menjëherë.