‘Edi Rama mori rolin e ndërmjetësuesit duke bërë bashkë liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut në Tiranë’, kështu e nis artikullin një prej mediave maqedonase që ka pasqyruar takimin e zhvilluar në vilën 31 në Tiranë.
Alsat shkruan se Katër krerët e partive, Ali Ahmeti i BDI, Afrim Gashi i Alternativës, Menduh Thaçi i PDSH dhe Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët pranuan të ulen përballë njëri-tjetrit në vilën qeveritare, ndërkohë që darkën e bojkotoi kreu i lëvizjes BESA. Shkak, prania e Ahmetit. Ndërsa InaOnline e konsideroi një takim tepër vëllazëror.
“Në bazë të deklarimeve të pjesëmarrësve në tryezë, dy ishin themelet e diskutimeve: Agjenda e përbashkët në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke ngulmuar në temën e ndryshimeve kushtetuese që Shkupi duhet të kryejë, për të zbatuar marrëveshjen me Bullgarinë,”- shkruan InOnline.
Artikulli i Alsat:
Edi Rama mori rolin e ndërmjetësuesit duke bërë bashkë liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut në Tiranë. Katër krerët e partive, Ali Ahmeti i BDI, Afrim Gashi i Alternativës, Menduh Thaçi i PDSH dhe Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët pranuan të ulen përballë njëri-tjetrit në vilën qeveritare, ndërkohë që darkën e bojkotoi kreu i lëvizjes BESA. Mungesën e tij, Bilal Kasami i bashkangjiti si arsye, praninë e kreut te Ali Ahmeti. Ftesa e papritur e Edi Ramës shkaktoi zhurmë në Shkup, ndërkohë që konfidencialitetin e takimit e ruajti edhe zyra e shtypit e Kryeministrit, që nuk dha detaje mbi arsyet e darkës së liderëve shqiptarë në vilën qeveritare në Tiranë. Kjo nuk është herë e parë që kryeministri Rama ndërmjetëson uljen në një tryezë të partive shqiptare, 7 vite me parë ai negocioi takimin e liderëve shqiptar të Maqedonisë së Veriut, ku pati dakordësi për çështje të nxehta, që preknin gjuhën dhe simbolet e shqiptarëve.
Artikulli i Ina Online:
Ka qenë një takim tepër vëllazëror me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, ai i zhvilluar mbrëmjen e 10 janarit nga liderët politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, ku munguese e vetme në tryezë ishte Lëvizja Besa. Në bazë të deklarimeve të pjesëmarrësve në tryezë, dy ishin themelet e diskutimeve: Agjenda e përbashkët në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke ngulmuar në temën e ndryshimeve kushtetuese që Shkupi duhet të kryejë, për të zbatuar marrëveshjen me Bullgarinë. Si një çast themelor e sheh kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, momentumin e krijuar për ndryshimet kushtetuese në RMV. Megjithatë, ai e ka përcaktuar se vetë kryeministri Rama, nuk e ka sjellë çështjen në tryezë. Por, ato ndryshime, do të ndihmojnë Shkupin edhe më tej që të vijojë rrugëtimin evropian. “Pati një ligjërim të kryeministrit Rama për sfidat dhe përpjekjet që janë bërë e që duhen bërë drejt hapjes së kapitullit të parë për anëtarësimin në BE”, shpjegoi Ahmeti, duke ngulmuar se bashkëkoordinimi i dy vendeve është themeltar, në këmbim të përvojave dhe eksperiencave që e shkurtojnë rrugën drejt unionit. Teksa, mbi mospjesëmarrjen e Lëvizjes Besa në këtë mbledhje që është organizuar prej kreut të Qeverisë shqiptare, Ahmeti komentoi duke e specifikuar si një papjekuri politike, pasi takime të tilla nuk duhen shmangur asnjëherë dhe njerëzve, u duhet dhënë një mesazh i mirë përbashkimi në të tilla raste.
Po ashtu, sipas tij, largimi i të rinjve shqiptarë, është një plagë e madhe që po i godet të dy vendet dhe kjo gjë, duhet ndaluar, duke ndjekur modelet më të mira evropiane. Ndërsa, frymën e takimit, e cilësoi krejtësisht vëllazërore. Tepër shkurtimisht, në të njëjtën frymë e ka komentuar takimin edhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili e ka përkufizuar si një bisedë për të ardhmen e përbashkët atë të zhvilluar, duke uruar edhe një vit të mbarë për gjithë shqiptarët. Një fjalë për mediat e mbajti edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili sërish e theksoi me ngulm frymën në të cilën takimi u zhvillua. Çështjet e përmendura nga ai si kryesore, ishin sërish ato të bashkërendimit të rrugës evropiane dhe forcimit të faktorit shqiptar në rajon. Mbi mungesën e Lëvizjes Besa, ai ka vendosur të mos japë asnjë koment. Kryeministri shqiptar ndërkohë, Edi Rama, pavarësisht se nuk mbajti një fjalë për mediat në përmbyllje, postoi në median e tij sociale Facebook, një foto nga brenda darkës së pritjes, ku ka bërë thjesht një urim. “Gëzuar! Qoftë një vit i mbarë për shqiptarët kudo ku janë”, shkroi ai bashkëngjitur me një fotografi nga brenda takimit.