MENU
klinika

Nga kalendari te mendësia

Milani nis misionin “Marrja e kreut”

08.01.2023 - 20:58

Me pesë pikë dis tancë Napoli nuk duket më aq larg. Stefano Pioli me Milanin e tij do të tentojë ta mbërrijë në pesë javët e ardhshme, dhe për këtë ka pesë misione që duhet të kryejë me sukses. Sipari në hapje e mbyllje është i fuqishëm: Milan-Roma dhe Inter-Milan janë fillesa e fundi i një cikli prej 5 sfidash, që mund të orientojë fatet e kampionatit.

Ashtu si vitin e kaluar: kur Murinjo u shfaq në “San Siro” më 6 janar, kuqezinjtë ishin në -4 nga Interi; pas përmbysjes 2-1 në derbin e 5 shkurtit (e njëjta datë edhe në këtë kampionat…), Pioli u vendos një pikë larg Inzagit. Në këto 5 ndeshje, “Djalli” ndërtoi bazën për parakalimin që u materializua një javë më vonë – falë fitores ndaj Sampdorias më firmë të Leaos. Më pas, Milani do të ruante avantazhin deri në shpalljen kampion. Në ndeshjet e radhës, kampionët i presin sfida të vështira – Roma dhe Inter, në fakt, dhe mes ndeshjeve jashtë fushe me Leçen dhe Lacion – por edhe axhenda e Napolit nuk është shaka: kujdes kalimet kyçe me Juven dhe Romën. ..

MENDËSIA – E tha Tonali (“do ta mbrojmë titullin deri në pikën e fundit të djersës”), Pioli e përsërit kur prek temën “skudeto”: “Ne e kemi garën me veten. Nuk kam dyshime për ekipin tim, duam të shënojmë shumë pikë, sepse i kemi aftësitë”. Mendimi është i qartë: Milani i tij nuk është inferior ndaj askujt, ata janë më të fortë se sezonin e kaluar. Dhe ai mburret me një aftësi që është përmirësuar me kalimin e kohës: nëse pengohet, ai gjithmonë di të ngrihet në këmbë. Paraqitja e Salernos, rastet e humbura para portës bënë diferencën. Tani ka ndonjë që kujton Milanin të mundur nga PSV-ja një javë më parë?

MOTORI — Kur Benaser dhe Tonali janë në timon, ekipi dhe rezultatet janë në lartësinë e duhur. Në 34 ndeshjet e Serisë A të luajtura së bashku nga të dy, Milani është mundur vetëm një herë. Mesatarja e pikëve me dyshen në fushë në të njëjtën kohë rritet duke kaluar nga 2.25 aktualisht në 2.5. Dhe është më e lartë se ajo e prodhuar nga çiftet e tjera të mëdha: Barella-Brozoviç Inter (2.23), Zielinski-Lobotka (Napoli 2.18), nga juventinët Lokateli-Rabio (2).

RIKTHIME – Menja do të mungojë për një kohë të gjatë dhe mund të bëhet problem. Ndërkohë, Pioli ka rikuperuar dy copa shumë të çmuara për ekuilibrin taktik: me rikthimet e Kalabrias dhe Salmakersir ka “rindërtuar” zinxhirin e duhur dhe Kalulu është rikthyer më në fund për t’u bashkuar me Tomorin në qendër. Mesias dhe Florenci do të kompletojnë departamentin më vonë: më shumë zgjedhje dhe më shumë rotacione për sa i përket titullit.

RRITJA- Në mesin e tetë pritjeve që ndriçuan debutimin e Oçoas në Itali, ka edhe dy ndaj De Ketelares, që nuk ishte parë asnjëherë aq i uritur për gola sa në stadiumin “Arechi”. A mund të jetë momenti i belgut? Pioli i interpretoi shenjat: “Fizikisht është më mirë se në verë dhe po rritet. Shumë shpejt do të na japë kënaqësi”. Nëse Sharli do të gjejë kohën e duhur, Milani do të kete një bonus të madh paparashikueshmërie. Dhe në një mision parakalimi duhet edhe kjo, apo jo?