Napoli vazhdon me në ritëm të jashtëzakonshëm në Serinë A, teksa ka mbyllur pjesën e parë të kampionatit me një total prej 50 pikësh. Fitorja e radhës erdhi sot në duelin ndaj Salernitanës në transfertë, ku ekipi i Spaletit triumfoi me shifrat 2-0.
Gjithçka u zgjidh brenda pak minutash në fundin e pjesës së parë dhe fillimin e të dytës. Përballë vendasve të rreshtuar mirë në mbrojtje, Napoli kishte vështirësi të mëdha të shënonte, derisa erdhi goditja e Di Lorenco në shtesën e pjesës së parë për t’i dhënë avantazhin skuadrës.
Në fillimin e fraksionit të dytë të lojës, ishte Osimhen ai që dyfishoi rezultatin me një goditje të shpejtë para portës, pasi topi ishte kthyer nga shtylla në këmbët e tij.
Kështu, Napoli siguroi një fitore 2-0 që e shkëput edhe më shumë nga ndjekësit e tij, duke shkuar 12 pikë larg Milanit që mban aktualisht vendin e dytë në renditjen e Serisë A.