MENU
klinika

Nis puna për restaurimin

Ndërhyrje emergjente në Kalanë mesjetare të Lezhës

15.01.2023 - 16:30

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se ka nisur puna për restaurimin e Kalasë së Lezhës.

Në një postim në rrjetet sociale, Maragriti shprehet se po punohet për fazën e parë të sondazheve që i paraprin zbatimit të projektit, mbi ndërhyrjen emergjente në murin verior në kalanë mesjetare, ku janë evidentuar çarje.

Sondazhet arkeologjike po kryhen në kuadër të projektit “Stabilizimi emergjent i një pjese të murit verior të Kalasë së Lezhës” me zhvillues UNOPS Shqipëri”.

Sondazhet e studimit të terrenit, ku do kryhet ndërhyrja përforcuese dhe stabilizuese në mure kanë përmasa 5×2 m² dhe thellësi maksimale deri në tabanin e shtresave të mundshme kulturore, ndërkohë që sondazhi do të realizohet në formë trench-I dhe me shkallëzime në zbritje.

Margariti thekson se segmenti ku po realizohet ndërhyrja nuk mund të aksesohet me mjete mekanike dhe i gjithë procesi arkeologjik i sondazhit të propozuar po realizohet manualisht.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, po asiston procesin duke dhënë ekspertizën e saj si dhe duke punuar për pastrimin e zonës së propozuar, nga depozitimet e rrënojave.

Kalaja e Lezhës është pa dyshim një nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore ku bashkohen gjurmët e arkitekturës ilire, romake, bizantine dhe osmane dhe që dëshmon lashtësinë e qytetërimit të kësaj zone.

Ky monument i rrallë që i ka mbijetuar shekujve, do të marrë një vlerë të shtuar falë projektit të ndriçimit, i cili do të nxjerrë në pah trashëgiminë kulturore, historike, arkitekturore.

Kalaja mesjetare e Lezhës është ndërtuar mbi rrënojat e Akrolisit antik në shekullin IX-të, duke marrë kështu karakterin e një qendre qytetare.

Ajo është rindërtuar disa herë duke filluar që nga Shek. III-të para Krishtit nga Mbretëria Ilire, Bizantinët pas djegies nga inkursionet sllave të vitit 592, nga Dukagjinët vendas pasi u dogj aksidentalisht në vitin 1398, Venedikasit gjatë viteve 1440-1451 duke marrë edhe formën që ka sot.

U dogj dy here në vitet 1478 dhe 1503 nga vetë qytetarët lezhjanë pasi u rrezikua nga osmanët të cilët e përdornin si bazë për të sulmuar vendasit që ishin zhvendosur në Ishullin e Lezhës. Te rrezikuar nga sulmet e mundshme Veneciane nëpërmjet lumit Drin dhe sulmet e kryengritësve Shqiptarë, sulltan Sulejman Selim Bajazit Han (Sulejmani i Madhërishëm) urdhëroi rindërtimin e kalasë në vitet 1521-1522.

Muret e kësaj periudhe janë të mbivendosura mbi ato veneciane dhe kësaj periudhe i përket edhe restaurimi i Xhamisë Sulejmanie dhe muret turke që ndajnë oborrin e brendshëm me atë të jashtëm brenda hapësirës së Kalasë.

Kjo kala dominon deri në bregun e detit dhe mbyll pothuajse gjithë rrugët për në brendësi. Ana Komnena e quajti kështjellën e Elissonit, “një kështjellë në ajër, syri i djathtë i Durrësit”.

Sot në kalanë e Lezhës mund të shihet, përveç peizazhit të bukur e relaksues, edhe teknikat dhe fazat e ndryshme të ndërtimit mijëravjeçar të vendosura sipër njëra-tjetrës, si dhe një sipërfaqe rreth 1.5 ha me ambiente çlodhëse.