MENU
klinika

Të pranishëm përfaqësues të institucioneve të Kosovës

Nis diskutimi për Asociacionin

31.01.2023 - 12:37

Pjesëtarë të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë të partive politike dhe diplomatë janë pjesë e diskutimit të organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Takimi ka nisur në Ambasadën e SHBA-së.

Takimi do të jetë i mbyllur nën rregullin Chatham House dhe vetëm pas këtij takimi pritet një deklaratë e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Pjesëmarrjen në të e kanë konfirmuar përfaqësuesit e Kryeministrisë dhe Presidencës, por edhe të dy partive opozitare në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, kundërshton themelimin e Asociacionit, teksa Serbia këmbëngul që Kosova të zbatojë marrëveshjet për të të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërkaq, SHBA-ja ka argumentuar se ka ardhur koha që të formohet Asociacioni.

“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Ambasadës amerikane në Prishtinë, Katherine Judd, teksa u pyet për diskutimin e organizuar më 31 janar.

Kosova dhe Serbia më 2013 dhe 2015 arritën marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit e vitit 2015, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Janë gjithsej 23 pika të marrëveshjes që nuk janë në frymën e Kushtetutës, dhe ndër to është se Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, pasi bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumicë, në këtë rast komuniteti serb.

Megjithatë, nenet që bien ndesh me Kushtetutën, sipas Gjykatës, mund të harmonizohen, në mënyrë që ky organ të formohet.

Pavarësisht kundërshtimit të Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë kërkuar që Kosova të respektojë marrëveshjet e arritura dhe të themelojë Asociacionin.

Kundërshtimi i Kosovës
Kryeministri Kurti, edhe në kohën kur ka qenë në opozitë, i ka parë si të dëmshme marrëveshjet për Asociacionin. Ai shpesh ka argumentuar se themelimi i një asociacioni njëetnik do të rrezikonte që në Kosovë të krijohej një Republika Sërpska, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë.

“Natyrisht që Beogradi e dëshiron një Republikë Serbe brenda Kosovës, siç e ka në Bosnjë [dhe Hercegovinë]. Ju e dini që Serbia de jure e njeh Bosnjë dhe Hercegovinën, por de facto nuk e njeh. Dhe, ata nuk e fshehin qëllimin e tyre për ta krijuar një Republikë Serbe [brenda Kosovës]. Ne konsiderojmë që një rrezik i tillë ekziston, mirëpo ne duhet të jemi të kujdesshëm, të jemi vigjilentë dhe të mos e lejojmë atë”, ka thënë Kurti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë dhënë më 27 janar.

Madje, kryeministri Kurti në deklarime të tjera ka hedhur idenë edhe që Asociacioni të adresohet në kuadër të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, në bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

Edhe partitë e tjera opozitare në Kosovë janë shprehur kundër formimit të një Asociacioni që do të shkelte Kushtetutën. Megjithatë, opozita ka thënë se është përgjegjësi e ekzekutivit që Asociacioni të themelohet në bazë të aktit më të lartë juridik të shtetit.

Insistimi i Serbisë
Problemi kyç për themelimin e Asociacionit besohet se janë kompetencat që pritet të ketë ai. Kosova është shprehur kundër që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, ashtu siç ka kërkuar Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, insiston në formimin e Asociacionit dhe shpesh ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që t’i bëjë presion Kosova që të ndërmarrë hapa për jetësimin e tij.

Në fillim të janarit, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, deklaroi se SHBA-ja i ka premtuar Serbisë që formimi i Asociacionit do të nisë në janar.

Kërkesat e SHBA-së
Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë se për ta, Asociacioni është prioriteti kryesor, teksa së bashku me Brukselin, po inkurajojnë Kosovën dhe Serbinë të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të raporteve.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 19 janar deklaroi se për SHBA-në, “Asociacioni në formën e Republikës Sërpska është një vijë e kuqe që SHBA-ja s’do ta lejojë”.

Megjithatë, ai tha se Uashingtoni do të bëjë pjesën e tij për “ta çmitizuar Asociacionin në disa mënyra, sepse mendoj se ka shumë pasiguri lidhur me çfarë është Asociacioni dhe çfarë nuk është”.

Chollet ka qëndruar gjatë këtij muaji në Kosovë dhe Serbi, së bashku edhe me të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në përpjekje për të shtyrë përpara dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Chollet ka thënë se Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë Asociacionin, dhe SHBA-ja pret që “Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”.

Në një shkrim autorial të publikuar më 30 janar, Chollet dhe Escobar thanë se ka pasur shumë diskutime për Asociacionin, por tani sipas tyre, ka ardhur koha të tregohet qartë se çka është ky Asociacion e çka jo.

“Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse”, shkruan zyrtarët amerikanë.

Ata shtuan se Asociacioni do të shërbente për të përmirësuar jetën e serbëve, por edhe për krijimin e besimit dhe lidhjeve më të mira mes tyre dhe Qeverisë qendrore në Prishtinë.

Ndërkaq, Escobar ka thënë se Asociacioni duhet të themelohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës, por nuk duhet të jetë “shtet brenda shtetit”.

Ai madje ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk formon Asociacionin, atëherë do të gjenden “partnerë alternativë”. I pyetur se cilët mund të jenë partnerët alternativë, ai ka përmendur shoqërinë civile, grupet multietnike, institutet, që sipas tij, mund të ndihmojnë që të krijojnë ide për themelimin e Asociacionit, pa prekur ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Një ditë para organizimit të diskutimit për Asociacionin nga Ambasada amerikane në Prishtinë, organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung (FES),publikoi një draft-statut për themelimin e Asociacionit në bazë të sistemit juridik.

I përbërë nga 7 kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të këtij asociacioni, përfshirë simbolet.

Sipas FES, Asociacioni parashihet të ketë statutin, që duhet të miratohet nga kuvendet komunale të komunave pjesëmarrëse. Më pas ky statut, do të duhej të miratohej në Qeveri dhe do të hynte në fuqi pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

Asociacioni, sipas dokumentit të prezantuar nga kjo organizatë gjermane, do të ketë të drejta të plota në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, në fushën e edukimit, planifikimit urban, si dhe rural.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviç dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve të arritura në Bruksel, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!