Muzeu “Onufri” në Berat vazhdon të zgjojë interesin e vizitorëve e sidomos atyre të huaj edhe në këtë fillim viti, me vlerat e koleksioneve të tyre.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizita e turistëve në këtë muze.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, Agron Polovina tha sot për ATSH-në se “muzeu ka qenë i hapur edhe ditën e djeshme dhe është vizituar nga çift gjermanësh, një grup me vizitorë italianë, por edhe shqiptarë”.
Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.