MENU
klinika

Raporti i Avokatit të Popullit për vdekjen e Lear Kurtit

“Pamjet filmike brenda ambienteve të Policisë janë të mangëta”

18.01.2023 - 10:55

Avokati i Popullit, ose më saktë, Struktura për Mekanizmin Kombëtar të Parandalimit të Torturës, më në fund ka hartuar një raport që ka të bëjë me ngjarjen e rëndë të 19 tetorit të vitit që lamë pas.

Bëhet fjalë për ngjarjen ende misterioze të vdekjes së të riut Lear Kurti, i cili humbi jetën në duart e dy patrullave të Komisariatit nr. 3. Komisionerët e kësaj strukture kanë mbërritur herët me datën 20 tetor në ambientet e Komisariatit dhe në të dhënat e para ata treguan se Komisariati nuk iu kishte vënë në dispozicion asnjë shkresë në të cilën vërtetohej shoqërimi i viktimës. Po ashtu, as pamjet filmike brenda ambienteve policore. Verifikimet, hetimet dhe konkluzionet e tyre janë përfshirë në një raport të detajuar, jo vetëm për çështjen e ngjarjes së rëndë ku humbi jetën Lear Kurti, por edhe duke iu vënë në dispozicion nene e ligje kombëtare dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e një të shoqëruari.

Për dijeni, raporti iu është nisur kryepolicit të vendit, Muhamet Rrumbullaku, kryepolicit të Tiranës, Tonin Vocaj dhe shefit të Komisariatit ku ndodhi ngjarja, Altin Lila. Në raportin prej 10 faqesh, që “Panorama” e disponon të plotë, vërehen disa detaje të pamësuara më herët, e kjo ka të bëjë konkretisht me masat e pamarra ndaj të shoqëruarit, si dhe hapja e pamjeve filmike brenda Komisariatit të Policisë. Sipas këtij, raporti bëhet me dije se ndaj të shoqëruarit nuk është marrë asnjë masë nga të detyrueshmet, të cilat do t’i fiksojmë më poshtë, ndërsa mësohet se vetë Avokati i Popullit ka konstatuar se pamjet filmike që janë vënë në dispozicion të atij verifikimi nuk janë të plota për të gjithë ambientin. Por në raport nuk bëhet me dije se cilat pjesë të Komisariatit janë të pambuluara, por theksohet se: Lear Kurti, në gjendje të rëndë shëndetësore, qëndroi në ambientet e këtij komisariati vetëm 4 minuta. Po ashtu, në kthimin e përgjigjes së Spitalit të Traumës, bëhet me dije se makina e Policisë ka mbërritur në spital në orën 23:40 minuta, ku është konstatuar se pacienti i prangosur ishte i pajetë. Ndërkohë, Policia nuk ka pasur asnjë pamje filmike të momentit të ndalimit të Kurtit, vetëm pak metra larg Spitalit të Traumës, e për pasojë Avokati i Popullit ka verifikuar pamjet që kanë dalë në media të atij momenti, për të treguar ndër të tjera se Lear Kurtit jo vetëm nuk iu dha ndihma e duhur, por madje ndaj tij nuk u zbatua asnjë masë që i takonte me ligj. Raporti ka fiksuar edhe kthimin e përgjigjes së Institutit të Mjekësisë Ligjore, e cila si shkak të vdekjes së të riut përjashton ushtrimin e dhunës, por e nxjerr si helmim akut.

RAPORTI
Sikurse ju kemi vënë në dijeni me shkresën nr. K4/ Z2-3 prot., datë 20.10.2022, në Institucionin e Avokatit të Popullit është regjistruar rasti i bërë publik në media lidhur me vdekjen e një shtetasi 32-vjeçar pas ndalimit të tij nga Policia e Shtetit. Sipas raportimeve, autoritetet kanë ndjekur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së dt.19.10.2022 shtetasin Lear Kurti, pasi nuk është përgjigjur thirrjes për t’u identifikuar më pas qytetari është shoqëruar dhe dërguar në mjediset e komisariatit nr.3 Tiranë.

Në dt. 20.10.2022, u krye një inspektim në Komisariatin e Policisë nr.3 Tiranë, në kuadër të monitorimit të respektimit të të drejtave të njeriut për personat e shoqëruar/ ndaluar nga organet e Policisë së Shtetit.

Në Komisariatin e Policisë nr. 3 (Tiranë) punonjësit e Policisë të pyetur nga ana jonë, deklaruan se në datën 19 Tetor 2022 rreth orës 23:10 është evidentuar një qytetar (Lear Kurti), i cili i është shmangur patrullës së Policisë, duke kryer veprime të dyshimta. Për këtë ai është pyetur nga policët e patrullës nëse është banor i lagjes dhe nëse kishte dokumente identifikimi, por përgjigjet e tij kanë qenë refuzuese duke u larguar me vrap. Patrulla e policisë është vënë në ndjekje, patrulla 1) dhe i ka kërkuar sallës operative, përforcime, të ardhura nëpërmjet patrullës nr. 2, në orën 23:13.

Prej momentit të ndalimit, pasi është kapur në ndjekje, në orën 23:27; patrulla 2 ka njoftuar sallën operative mbi shoqërimin e këtij shtetasi në ambientet e Komisariatit, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë. Pas 7 minutave, në orën 23:34, patrulla 1) i ka kërkuar sallës operative ambulancë pranë Alpinit, pasi personi i shoqëruar ka deklaruar që nuk ndihet mirë. Më tej, po kjo patrullë e ka shoqëruar shtetasin L.K për në ambientet e Komisariatit nr.3 Tiranë si dhe më pas me makinë policie nga komisariati nr.3, Tiranë e kanë dërguar për në spital. Vlen të theksohet nga ana jonë se në deklarimet e tyre punonjësit e policisë të cilët kishin kryer shoqërimin e shtetasit L.K e kishin të paqartë dhe kontradiktor faktin e pohimit të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të këtij shtetasi si dhe arsyen se përse ky shtetas u shoqërua në ambientet e komisariatit nr. 3 Tiranë dhe nuk iu dha ndihma mjekësore e menjëhershme duke e dërguar në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës pasi dhe distanca nga vendi i shoqërimit drejt spitalit ishte e shkurtër.

REGJISTRAT E KOMISARIATIT NR. 3
Gjithashtu u krye këqyrja e regjistrit të shoqërimit ku duhet të pasqyrohen rastet e shoqërimit. Gjatë këqyrjes së dokumentacionit të sipër përmendur, rezultoi se shtetasi Lear Kurti nuk ishte i evidentuar në këtë regjistër pas shoqërimit të tij në ambientet e komisariatit. Bazuar në rregullat e shoqërimit të personave në ambientet e komisariatit duhet mbajtur procesverbali i dokumentimit të veprimeve të kryera me personin e shoqëruar pas kryerjes së veprimeve të verifikimit e sqarimit të rastit për personin, nga punonjësi i policisë, si dhe dokumentimi i të dhënave, gjeneraliteteve të shtetasit për kohën hyrjes dhe qëndrimit të tij në Komisariat, cilësinë dhe shkaqet ligjore të kufizimit të lirisë.

MASAT MBROJTËSE TË TË SHOQËRUARIT
Masat mbrojtëse, veçanërisht në fazat e hershme të shoqërimit, janë thelbësore për të parandaluar abuzimet. Këto masa përfshijnë:

* dhënien e informacionit të të shoqëruarve për të drejtat e tyre; o sigurimin e aksesit të një avokati për të parandaluar abuzimet;

* dhënien e informacionit të të shoqëruarve për të drejtat e tyre;

* sigurimin e aksesit të një avokati;

* njoftimin e anëtarëve të familjes dhe/ose një palë të tretë për personin;

* dhënien e ekzaminimit nga një mjek për të konfirmuar ose përjashtuar pretendimet për keqtrajtim dhe për të ofruar ndihmë mjekësore nëse është e nevojshme.

Kthim-përgjigjeje nga:
Prokuroria na bën me dije se është kërkuar me vendim kryerja e ekspertimit teknik, lidhur me pamjet filmike të administruara në kuadër të këtij procedimi, akt i cili ende nuk është administruar.

Instituti i Mjekësisë Ligjore në konkluzionet e ekspertit mjeko ligjor konstatohet se shkaku i vdekjes së shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizmin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (ndalimi i menjëhershëm i punës së zemrës). Sipas ekspertizës, vdekja e shtetasit L.K nuk ka ardhur për shkak të ndonjë veprimi të dhunshëm nga ana e Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit me shkresën nr.3858/3 Prot, datë 26.10.2022, ka dërguar pranë Institucionit të Avokatit të popullit DVD me pamjet filmike të kamerës së sigurisë të Komisariatit të Policisë nr.3 Tiranë, në DVP Tiranë, për datën 19.10.2022, theksojmë se nga këqyrja e këtyre pamjeve ato nuk janë të plota në të gjitha ambientet e Komisariatit. Nga këqyrja e këtyre pamjeve nga Nd/ komisionerët e avokatit të Popullit, pamje filmike të korridorit hyrës të derës kryesore në komisariat vërehet se: Patrulla ka sjellë në komisariat shtetasin Lear Kurti, i cili në duar mban pranga, i shtrirë në tokë në gjendje të keqe shëndetësore me dridhje trupi. Në këto pamje duken punonjësit e Policisë, të cilët përpiqen t’i japin ndihmë. Shtetasi L.K ka qëndruar në ambientet e komisariatit për 4 minuta dhe më tej është marrë nga patrulla e cila edhe e kishte shoqëruar më herët.

SPITALI I TRAUMËS
Me shkresën nr.2430/ 1.Prot datë 26.10.2022 kthim përgjigje, Spitali Universitar i Traumës na bën me dije se, pacienti Lear Kurti është dërguar në urgjencën e spitalit nga forcat e policisë në dt.19.10.2022 ora 23.40. Pacienti u morr menjëherë në sallën e urgjencës ku u konstatua se ishte pa shenja jetësore, “Exitus Letalis” ora 00:10 dt. 20.10.2022.

KONSTATIMI (VLERËSIMI)
Në vlerësimin e institucionit të Avokatit të Popullit shkaqet e ndodhjes së kësaj ngjarjeje dhe problematikat e konstatuara janë:

* arsyeja e ndalimit të 32- vjeçarit, e cila solli më pas pasojat e saj;

* mos veprimit nga punonjësit e policisë për dërgimin e menjëhershëm të personit të shoqëruar L.K në spital pas shfaqjes së simptomave të përkeqësuar shëndetësore;

* mungesës së dokumentacionit, pasi është i mangët në komisariat për kohën e qëndrimit dhe shkaqet e kufizimit të lirisë. Mungon mbajtja e një procesverbali për pasqyrimin e rrjedhën e ngjarjeve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN