Në protestën që zhvilluan para Kryeministrisë, një nga banorët e Bërxullës deklaroi për Panorama TV se do të zhvendosen për të protestuar edhe para ambasadës Amerikane.
Banori paralajmëroi se protestat do të përshkallëzohen nëse nuk marrin zgjidhje për kërkesat e tyre. Sipas tij, edhe pse me dokumente, prona e tyre po “vidhet pa pikë turpi dhe mëshire”.
“Do të shkojmë te ambasada Amerikane meqë ndërrohet edhe ambasadori, ne do të kërkojmë vetëm vëmendjen e Europës tani. Besoj se do të na dëgjojnë, kjo është Evropa që pretendojmë të shkojmë megjithëse edhe Evropa vetë doli me vjedhje. Ne do të përshkallëzojmë protestat tonat.
Në fshatin tonë bëhet hekurudha dhe kjo rrugë është masakru fshati, gjithë Evropën kemi pa që rrugët bëhen me strategji jo futja kot me 130 km në orë, ku ka mundësi me ec ai do të na fluturojë makina në mes të shtëpisë të na vrasin kalamajtë këto bëjnë projekte me vjedh sa më shumë për vete. Ka një pjesë lumi që mund ta bëjnë. Këto janë oligarkë që paguajnë dhe kur vjen puna goditet fshatari i varfër. Ka filluar që në Thumanë dhe nuk e di se çfarë populli jemi ne që të merret prona me dokument dhe të thonë dil ti, nuk të pyesin fare. Këtu vidhet me dokumente pa pas pikë turpi dhe pikë mëshire gjithsesi, ne këtu jemi nuk lëvizim.
Në shpronësimi e kemi kërkuar në bazë të tregut, shteti të marri mesataren dhe të ulemi po jo katër milionë lekë një dylymë tokë as baras me një kile vaj kikiriku prandaj nuk e di si e mendojnë kështu se për vete lëvizjet i bëjnë me miliona euro po vjedhin pa fund”, tha banori.