Kampionati i 84-t Kombëtar i Abissnet Superiores, me dy ndeshjet e sotme, starton fazën e tretë të tij. Në mesjavë ai mbylli javën e 18-të të tij me Tiranën që u konfirmua me titullin simbolik ‘Kampione e Dimrit’ me 34 pikë të grumbulluara në gjysmë të sezonit. Fitorja 0-2 në transfertë përballë Erzenit konsolidoi pozitat e bardhebluve në krye, të paktën për momentin. Duhet thënë se tani e shohin veten me 4 pikë më shumë se Partizani ndjekës.
Referuar shifrave, në krahasim me sezonin e shkuar, Tirana ka 6 pikë më pak. Në edicionin e fundit bardheblutë ngritën titullin e 26-të në histori dhe gjysmën e pare të kampionatit e mbyllën me 40 pikë. Deri në fund të kampionatit, kjo shifër shkoi në 73 pikë.
Por, cili ka qenë trendi i pikëve të grumbulluara në dy fazat e luajtura deri më tani nga të gjitha skuadrat pjesëmarrëse?
Në fazën e parë, Partizani grumbulloi 19 pikë, duke qenë njëkohësisht edhe skuadra me më shumë pikë të grumbulluara. Ndërsa, Tirana dhe Erzeni me nga 15 pikë, Vllaznia me 14 dhe renditja mbyllet me Teutën që koleksionoi vetëm 7 pikë.
Megjithatë, faza e dytë e Kategorisë Superiore ka prodhuar më shumë ndryshime në tabelë, sidomos mes Tiranës dhe Partizanit. Bardheblutë kanë pasur goxha rritje në javët e fundit dhe me 19 pikë të grumbulluara, janë ata skuadra me më shumë pikë në këtë hark ndeshjesh.
Ndërkohë, Partizani që kryesonte si skuadra më e mirë e fazës së parë, ka pësuar një rënie drastike. Të kuqtë kanë marrë vetëm 11 pikë në fazën e dytë. Ekipi që ndjek Tiranën me më shumë pikë në këtë fazë është Laçi me 15 pikë, të ndihmuar edhe nga ardhja e trajnerit të ri Gentjan Mezani.
Një përmirësim të madh ka bërë edhe Teuta. Nën drejtimin e Edi Martinit, durrsakët kanë grumbulluar plot 14 pikë dhe sot e gjejnë veten jashtë zonës së ftohtë. Problematike është situata për Kukësin. Në këtë fazë të sezonit, verilindorët kanë grumbulluar vetëm 8 pikë dhe ndodhen në vendin e fundit në renditje.